Rreth një muaj e gjysmë pasi që Gjykata Themelore e Prishtinës i gjeti fajtor dhe i dënoi me 21 vjet burg katër aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, mbrojtja e tyre ka dorëzuar sot ankesat ndaj këtij vendimi.
Përmes një njoftimi në faqen e Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook, bëhet e ditur se janë dorëzuar katër ankesa në Gjykatën e Apelit për Atdhe Arifin, Egzon Halitin, Adea Batushën dhe Frashër Krasniqin.
Në njoftim vlerësohet se aktgjykimi dënues i Gjykatës Themelore ishte politik dhe se Gjykata e Apelit mund ta korrigjojë këtë vendim të padrejtë.
“Dënimi i tyre është kryekëput politik dhe i padrejtë dhe shkalla e dytë e ka mundësinë që ta korrigjojë këtë gabim të drejtësisë. Përgjigja në këto katër ankesa është shansi i dëshmisë se një pjesë e gjyqësorit të Kosovës ende mund të veprojë e pavarur”, thuhet në njoftim.
Në njoftim më tej theksohet se dënimi i aktivistëve është bërë pa prova.
“Pa prova e pa fakte, aktivistët tanë janë të privuar nga liria që prej fundit të gushtit të vitit 2016. Pos muajve të paraburgimit dhe të arrestit shtëpiak, ata kanë 73 ditë që janë arrestuar dhe po vuajnë padrejtësinë”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.
Krejt në fund të njoftimit kërkohet liri për katër aktivistët e dënuar.
“Kërkojmë fundin e këtij gjyqi të montuar. Kërkojmë vënie të drejtësisë për rastin e aktivistit Astrit Dehari”, përfundon njoftimi.
Gjykata Themelore e Prishtinës më 17 nëntor publikoi aktgjykimin sipas të cilit, Atdhe Arifi është dënuar me 6 vjet burg, Frashër Krasniqi me 8 vjet, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë ndërsa Adea Batusha me 2 vjet burg.
Katër aktivistët e Vetëvendosjes akuzohen për sulmin e kryer në gusht të vitit 2016 ndaj Kuvendit të Kosovës.