Site icon Telegrafi

Donald Trump sulmoi Benjamin Netanyahun – tregon se si qeveria izraelite nuk e ndihmoi në një rast SHBA-në

Arkiv

Donald Trump, ish-presidenti amerikan dhe kundërshtari i mundshëm i Bidenit në zgjedhjet e vitit 2024, tha në tubimin e mbrëmshëm se ai kishte drejtuar kombin gjatë katër vjetëve pa ndonjë luftë të re dhe kritikoi politikën e jashtme të presidentit amerikan, Joe Biden në kontekstin e luftës në Gaza, e cila u shkaktua nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit.

Në fjalim, republikani gjithashtu kritikoi drejtpërdrejt kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili pretendoi se nuk dëshironte ta ndihmonte SHBA-në në sulmin me dron të vitit 2020, ku mbeti i vdekur Qasem Soleimani, oficeri ushtarak iranian që shërbeu në Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike.

“Nuk do ta harroj kurrë që Bibi Netanyahu na dështoi”, tha ai duke shtuar se “ishte një gjë shumë e tmerrshme”.

“Më pas, Bibi Netanyahu u përpoq të merrte meritat për të… Kjo nuk ishte mirë… Nuk u ndjeva mirë për këtë, por nuk ka rëndësi”, tha Trump.

Lexo po ashtu Shumë viktima, të plagosur, pengje dhe të zhvendosur - gjithçka ndodhi në 33 ditë, që nga fillimi i luftimeve izraelito-palestineze më 7 tetor

Kujtojmë se Soleimani ishte oficer ushtarak iranian që shërbeu në Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike. Nga viti 1998 deri në vrasjen e tij në vitin 2020, ai ishte komandanti i Forcës Quds, një divizion i IRGC-së përgjegjëse kryesore për operacionet ushtarake ekstra-territoriale dhe klandestine të Iranit.

Ndryshe, zyrtarët e fushatës së Bidenit deklaruan se Trumpi ka përhapur dezinformata të rrezikshme për krizën në Izrael në një kohë kur vendi duhet të qëndrojë së bashku. /Telegrafi/

Exit mobile version