Pas suksesit që kanë shijuar në skenën e muzikës hip-hop, duket se dëshira e tyre për të rritur reputacionin dhe të hyrat i ka bërë që të nisin një rrugëtim të ri.
Reperët Don Xhoni dhe Fero, të cilët janë dy prej emrave më në zë të rap-it në vend, kanë zgjeruar së fundmi aktivitetin e tyre në biznes.
Secili përkatësisht ka hapur një lokal gastronomie në qytetet e tyre përkatëse të lindjes, Drenas dhe Gjilan.
Don Xhoni, emri i vërtetë i të cilit është Xhonatan Isufi ka investuar në hapjen e një lokali në bashkëpronësi me disa aksionarë të tjerë.
Ndërkohë, Feronit Shabani i njohur ndryshe si Fero ka vendosur që të investojë i vetëm në hapjen e një shisha-bar në Gjilan.
Në një nga kronikat e përjavshme, emisioni “Prive” ka bërë të ditur investimet e reja të dy reperëve, teksa disa imazhe të lokaleve përkatëse të secilit janë shpërndarë edhe në rrjetet sociale.
Fero pati një debutim viral dhe shumë të suksesshëm në skenën vendore në vitin 2017, gjersa po e njëjta ndodhi edhe me reperin nga Drenasi tri vite më vonë, në 2020-n. /Telegrafi/