Grupi i muzikës rok, “Bad Wolves”, e ka publikuar ribërjen e këngës “Zombie”, të cilën Dolores O’Riordan duhej ta incizonte së bashku me anëtarët e këtij bendi.
Kjo kishte qenë njëra prej arsyeve pse këngëtarja ndodhej në Londër, ku edhe u gjet e vdekur të hënën (15 janar).
Anëtarët e “Bad Wolves” e kishin incizuar versionin e tyre para disa muajsh dhe ia kishin dërguar Doloresit, e cila e kishte pëlqyer shumë.
Prandaj, ajo udhëtoi në Londër për ta përpunuar këngën dhe për ta nënshkruar një marrëveshje me grupin, mirëpo asnjëherë nuk do të mësohet se çarë ndryshimesh kishte planifikuar të bënte dhe çfarë do t’i shtonte versionit të ri.
Këngëtarja e “The Cranberries” nuk ka arritur ta incizojë vokalin e saj për ribërjen e hitit të madh, në mënyrë që versioni të ishte i kompletuar.
Të gjitha paratë nga përfitimet e këngës së re, sipas “Bad Wolves”, do t’u jepen fëmijëve të O’Riordan.
“Zombie” është një këngë proteste nga rok bendi irlandez ” The Cranberries” e shkruar rreth bombardimeve të IRA-s në Warrington në vitin 1993, ku humbën jetën dy fëmijë.
Kënga u realizua në kujtim të fëmijëve të vrarë, Johnathan Ball dhe Tim Parry, dhe u publikua në shtator të vitit 1994, si kënga kryesore e albumit të dytë të grupit, “No Need to Argue”.
Pikërisht Dolores O’Riordan e kishte shkruar këngën, e cila asokohe u rendit e para në top-lista në Australi, Belgjikë, Francë, Danimarkë dhe Gjermani.
Në vitin 1995 në ceremoninë e MTV Europe Music Awards, “Zombie” u shpall ‘Kënga më e mirë’, ndërsa edhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë një prej hiteve më të dëgjuara.
https://www.youtube.com/watch?v=gFd4RmrAq-Y
Në mars të vitit 2017, grupi e realizoi edhe versionin akustik të “Zombie” që u përfshi në kuadër të albumit “Something Else” që është edhe albumi i fundit i “The Cranberries”, me Doloresin si këngëtare e bendit. /Telegrafi/