Telegrafi

Doli nga vetura me të bijën dhe u dorëzua, policia e Hamburgut njofton se ka marrë fund kriza e pengmarrjes në aeroport

Policia e Hamburgut në Gjermani ka njoftuar se ka marrë “fund kriza e pengmarrjes” në aeroportin e këtij qyteti gjerman, pasi burri 35-vjeç që nga mbrëmë e mbante si peng në veturën vajzën e tij 4-vjeçe.

“I dyshuari ka dalë nga vetura me vajzën. Ai nuk i rezistoi arrestimit. Vajza duket se nuk ka pësuar lëndime”, tha zëdhënësja e policisë gjermane SandraLevgrin, transmeton Telegrafi.

Kriza e pengmarrjes filloi mbrëmë rreth orës 20:24, kur një burrë me veturën e markës Audi u fut në pistë pranë aeroplanit, shtiu disa herë me armë në ajër dhe hodhi dy koktej molotovi, ku tërë kohën mbante vajzën e tij brenda veturës.

Lexo po ashtu Të shtëna në aeroportin e Hamburgut, mbyllet për fluturime dhe aterrime

E policia arriti të vë kontakt me të dyshuarin diku pas orës 23:00. E përditshmja Hamburger Morgen Post, ka njoftuar se negociuesit me kërkesë të rrëmbyesit, kanë negociuar në gjuhën turke me ndihmën e një përkthyesi, e media tjerat raportojnë se ky baba dëshironte të largohej me vajzën nga vendi.

Helikopterët e policisë tërë kohën kishin fluturuar mbi aeroport dhe vëzhgonin situatën me kujdes, kurse rrëmbyesi në një moment lëvizi veturën për disa metra. Madje dyshohet se burri kishte me vete lëndë shpërthyese. /Telegrafi/