Princi Andrew shijonte masazhet e përditshme ndërsa kalonte javë të tëra në shtëpinë e Jeffrey Epstein në Florida, ka dëshmuar një burrë që kujdesej për shtëpinë e pedofilit amerikan, sipas grupit të fundit të dokumenteve të publikuara në lidhje me pedofilin miliarder.
Dokumentet e sapo publikuara përfshijnë një transkript të një video interviste me Juan Alessin, i cili punonte në rezidencën e miliarderit pedofil në Palm Beach, Florida. Në vitin 2009, Alessi u përball me pyetje në gjykatë në lidhje me marrëdhënien e Epsteinit me Dukën e Jorkut dhe ish-gruan e tij, Sarah Ferguson.
Ai tha se besonte se ish-Dukesha e Jorkut e vizitoi shtëpinë e Epsteinit në Florida vetëm një herë dhe kjo ishte shkurtimisht, por tha se Princi Andrew kishte qenë atje për javë të tëra. Kur e pyetën se sa shpesh bënte masazhe, Alessi u përgjigj, “do të thosha se bënte masazhe të përditshme”, raporton skynews.
Andrew u largua nga jeta publike për lidhjet me Epsteinin në nëntor të vitit 2019, më pas u përjashtua nga monarkia dhe iu hoqën titujt pasi Virginia Giuffre, një nga viktimat e supozuara të Epstein, e akuzoi atë për sulm seksual ndaj saj kur ajo ishte 17-vjeçare. Ai i mohon me forcë të gjitha.
Dokumentet ishin pjesë e një padie të ngritur nga Giuffre kundër ish-të dashurës së Epsteinit dhe bashkëpunëtores për një kohë të gjatë, Ghislaine Maxwell.
Ndryshe, ish-presidenti amerikan, Bill Clinton dhe këngëtari i ndjerë, Michael Jackson janë përmendur në dokumentet e publikuara. /Telegrafi/