Demokracia në Veprim (DnV) ka vazhduar monitorimin e fushatës zgjedhore në rang vendi, me anë të angazhimit të 61 vëzhguesve afatgjatë, të cilët do të raportojnë në baza ditore mbi mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore që po zhvillojnë kandidatët për kryetar komunash dhe kandidatët për anëtarë të kuvendeve komunale.
Në bazë të raportimeve, në nëntë ditët e fushatës zgjedhore, vëzhguesit kanë monitoruar 292 aktivitete të subjekteve politike në mbarë vendin, shumica e të cilave kanë qenë tubime publike.
Raporti i tyre është si më poshtë:
Pjesëmarrja e qytetarëve në tubime: Pjesa më e madhe e aktiviteteve zgjedhore të monitoruara nga DnV kanë qenë takime me 50 deri në 100 pjesëmarrës si dhe vërehet një rritje e takimeve të mbajtura me 100 deri në 500 pjesëmarrës nga ditët e para të fushatës, ndërsa 10 nga takimet e monitoruara kanë qenë tubime me mbi 1000 pjesëmarrës.
Përdorimi i resurseve publike: Përdorimi i resurseve publike është vërejtur në 15 nga 292 aktivitetet zgjedhore të monitoruara nga DnV ku është vënë re prania e shërbyesve civil dhe veturave zyrtare, në 12 raste nga PDK, ndërsa LDK ka tri raste, dy raste nga Nisma, si dhe në një rast nga LVV dhe nga Lista Serbe.
Përfshirja e fëmijëve në fushatë: Në 87 nga 292 aktivitete (30 për qind të aktiviteteve) të fushatës zgjedhore të pranishëm kanë qenë edhe fëmijët, numri total i të cilëve është 671. Në 28 nga 76 aktivitete (37 për qind) të LVV-së ka pasur pjesëmarrje të fëmijëve, në 24 nga 66 aktivitete (36 për qind) të LDK-së, në 16 nga 65 (25 për qind) aktivitete të PDK-së, në nëntë nga 21 (43 për qind) aktivitete të NISMA-së, ndërsa tek AAK në katër nga 24 aktivitete (17 për qind) , ndërsa te Alternativa prania e fëmijëve është vënë re në dy aktivitete dhe AKR në një aktivitet. Në 3 nga 21 aktivitete të partive serbe ka pasur prani të fëmijëve. Vetëm në nga një aktivitet të AAK, LVV, LDK dhe PDK-së është vënë re pjesëmarrje e organizuar e fëmijëve, ndërsa në rastet e tjera pjesëmarrja e fëmijëve ka qenë në mënyrë spontane.
Qasja e personave me aftësi të kufizuara: Në 39 nga 292 aktivitetet zgjedhore të monitoruara nga DnV për këto nëntë ditët e para të fushatës, pjesëmarrës kanë qenë personat me aftësi të kufizuara, në total kanë marr pjesë rreth 166 persona. Ndërsa në 99 aktivitete zgjedhore nga 292 të monitoruara në vendin ku është mbajt aktiviteti personave me aftësi të kufizuara nuk u është siguruar qasje për pjesëmarrje. Në tre aktivitet të organizuar nga tre subjekte politike LDK në Pejë, PDK në dhe NISMA nga një person me aftësi të kufizuara ka qenë folës.
Prania e mediave: Mediat kanë qenë të pranishme në 54 për qind të aktiviteteve zgjedhore të monitoruara në nivel vendi dhe kanë raportuar lirshëm.
Pjesëmarrja e grave: Pjesëmarrja e grave në aktivitetet e zhvilluara në kuadër të fushatës zgjedhore ka vazhduar të jetë në mesataren e rreth 10 për qind. Në baza gjinore, në aktivitetet e subjekteve politike kanë folur 802 burra (përkatësisht 80 për qind) dhe 202 gra (përkatësisht 20 për qind). Në nëntë ditët e aktiviteteve të fushatës prinë Alternativa me tetë grua nga 19 folës (42 për qind), AKR ka pasur 25 gra nga 72 folës (30 për qind), LVV ka pasur 67 gra folëse nga 293 (23 për qind) folës, PDK me numrin e grave folëse përkatësisht 44 gra nga 211 folës (21 për qind), ndërsa LDK me 31 gra folëse nga 199 folës (15 për qind), NISMA me vetëm 10 gra nga 69 folës (14 për qind), AAK me nëntë gra nga 69 folës (13 për qind). Partitë serbe dhe komuniteteve të tjera jo shumicë kanë pasur vetëm tetë gra folëse në aktivitetet e tyre nga 72 (11 për qind) folës sa ishin deri më tani.
Ofrimi i sigurisë: Në shumicën e rasteve të monitoruara Policia e Kosovës është përkujdesur për sigurimin e aktiviteteve zgjedhore. Në këto 9 ditët e para të fushatës vërehet se një pjesë e madhe e aktiviteteve që mbahen nga partitë nuk ka fare sigurim.
Gjuha e urrejtjes: Në nëntë nga 292 aktivitete të monitoruara është vënë re përdorim i gjuhës së urrejtjes, përkatësisht në gjashtë aktivitet të organizuar nga PDK dhe me nga një rast tek LVV e NISMA ndërsa rasti tjetër është nga komuniteti jo shumicë.
Incidentet: Mbrëmë rreth orës 22:00 në Pejë, në rrugën “Eliot Engel” te Ura e Gurit janë dëmtuar me gurë zyrat e VV-së nga persona të panjohur. Me 28 shtator, rreth orës 20:00, në fshatin Gllarevë, kandidatit për Asamble i AAK-së, Dega Klinë, Nazif Gashit, i është djegur vetura nga persona te panjohur. Më 27 shtator, Zyra e LDK në fshatin Raushiq është goditur me gur ku është dëmtuar një xham. Nuk ka ndonjë dëshmitar të rastit ndërsa policia ka dal në vendin e ngjarjes dhe ka mbledh dëshmitë.
Incidenti ndërmjet dy deputetëve: Dhuna nuk është mjet përmes së cilës partitë politike e ushtrojnë rolin e tyre apo zgjidhin mospajtimet ndërmjet vete. Përleshja fizike dhe gjuha denigruese e përdorur ndërmjet dy përfaqësuesve të qytetarëve, përkatësisht e deputetëve, është e papranueshme dhe ne e dënojmë ashpër. Veprimet e tilla nuk mund të justifikohen në asnjë formë, prandaj partitë politike duhet të distancohen qartazi. /Telegrafi/