Site icon Telegrafi

Djegia e dy veturave zyrtare të Komunës së Zveçanit, Elshani: Nuk ka të lënduar, rasti po hetohet

Dy vetura zyrtare janë përfshirë nga zjarri sot rreth orës 01:40 të cilat janë pronë e Komunës së Zveçanit.

Zëvendës drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani në një prononcim për Telegrafin ka thënë se dyshohet se ka të bëjë me zjarrvënie.

“Sot në mëngjes rreth orës 01:40 dy vetura pronë të Komunës Zveçan janë dëmtuar nga zjarri. Dyshohet se kemi të bëjmë me zjarrvënie, ndërsa të lënduar nuk ka”, tha Elshani.

Sipas tij, Policia është duke punuar në drejtim të ndriçimit të rastit.

Lexo po ashtu Digjen dy vetura zyrtare të Komunës së Zveçanit, reagon kryetari Peci

Edhe kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.

Peci shpreson që autorët të cilët janë përgjegjës për këtë akt kriminal do të dalin së shpejti para drejtësisë.

“Komuna e Zveçanit dënon rastin e djegies së dy veturave zyrtare të komunës. Rreth orës 01:36 pas mesnatës, një ngjarje e papritur u shënua kur dy vetura zyrtare u përballen me flakë zjarri pranë objektit të komunës sonë.

Menjëherë, pas informimit kryetari i komunës Ilir Peci ka dalë në vendin e ngjarjes dhe shpreson që autorët të cilët janë përgjegjës për këtë akt kriminal do të dalin së shpejti para drejtësisë”, shkruhet në status. /Telegrafi/

Exit mobile version