Site icon Telegrafi

Djali i Oliver Ivanoviqit kërkon drejtësi për vrasjen e babait të tij

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara, të akuzuar se janë të përfshirë në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Në seancën e së hënës u dëgjuan dëshmitë e tre dëshmitarëve V.L, H.L, dhe I.Q dëshmitë e të cilëve mediat nuk u lejuan që të xhirohen me arsyetimin që të mos dëmtohet procesi gjyqësor.

Këtë vendim e mori kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj.

“Kamerat prej këtij momenti duhet të ndalen, keni marrë sekuenca mjaftueshëm”, theksoi Kurtaj.

Në cilësinë e të dëmtuari, djali i politikanit të ndjerë, Oliver Ivanoviq, Nikolla ka kërkuar drejtësi për vrasjen e babit të tij.

Në fjalën e tij hyrëse, ai tha se i bashkohet ndjekjes penale dhe se paraqet kërkesë pasurore juridike, por që tani për tani nuk mund ta precizojë nivelin, dhe se këtë do ta bëjë gjatë gjykimit.

“Pas dy vite e gjysmë të vrasjes së babait tonë dhe bashkëshortit, familja e Invanoviqit kërkojmë të drejtën dhe drejtësinë. Kërkojmë që drejtësia të arrihet dhe të fajtorët të dënohen gjykata, megjithatë do e vërtetoj se kush janë fajtorët dhe kush nuk janë fajtor….I bashkohemi edhe njëherë ndjekjes penale. Tani për tani nuk mund ta prezicojmë në ç’nivel por këtë do ta bëjmë gjatë shqyrtimit”, u shpreh ai.

Në seancën e sotme nuk ishte e pranishme bashkëshortja e Ivanoniviqit, Maria Ivanoviq, por fjalën hyrëse të saj trupi gjykues tha se do e dëgjojnë kurdo që ajo do të jetë e pranishme.

Seanca e sotme nisi me disa minuta vonesë pasi në sallë ku po mbahet gjykimi nuk ishte i pranishëm avokati i Nedelkjo Spasojeviq, Faruk Korenica.

Ndërsa, për shkak të situatës së rëndë pandemike në vend, kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj kërkoi që sallën ku po mbahej seanca për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq ta lirojnë palët që nuk janë të përfshira në procedurë.

Në seancën e fundit më 6 korrik të këtij viti, pasi aktakuza është konsiderua e lexuar, gjashtë të akuzuarit nuk pranuan fajësinë për akuzat lidhur me vrasjen. Mirëpo, Zharko Jovanoviq ka pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje./kp/

Exit mobile version