Site icon Telegrafi

Djali i Netanyahut publikon videon ku shihet një ushtar izraelit që kërcënon për kryengritje, reagon ushtria e Izraelit

Djali i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ka ndarë një video që thuhet se tregon një rezervist të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) duke kërcënuar me kryengritje nëse qeveria izraelite nuk shtyn për “fitore të plotë” mbi Hamasin.

Që atëherë, IDF-ja ka njoftuar se do të hap një hetim penal për videon e cila thuhet se përfaqëson “shkelje serioze të urdhrave dhe vlerave të ushtrisë dhe përbën dyshim për vepër penale”.

Burri që identifikohet si rezervist i IDF-së është i maskuar, në dorë mban një armë dhe qëndron afër atyre që duket të jenë rrënojat e një ndërtese me mbishkrime hebraike.

Megjithatë, nuk mund të verifikohej se ku është filmuar video, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.

“Kryeministri Benjamin Netanyahu, videoja është për ju”, dëgjohet të thotë ushtari në video.

“Ne ushtarët rezervistë nuk kemi ndërmend t’ia dorëzojmë çelësat asnjë Autoriteti Palestinez. Ne nuk kemi ndërmend t’ia japim çelësat e Gazës asnjë entiteti, Hamasit, Fatahut, apo ndonjë entiteti tjetër arab. Ushtarët rezervistë janë pas jush dhe ne duam të fitojmë”, vazhdon ai.

Gjithashtu, rezervisti i supozuar ka kërkuar që Minstri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, të jap dorëheqje.

“Yoav Gallant, ti nuk mund ta fitosh luftën. Hiq dorë. Ne do t’ju tregojmë se çfarë është fitorja dhe si fitojnë hebrenjtë e vërtetë”, thotë burri.

Siç raportohet, publikimi i pamjeve pason një tjetër video në rrjete sociale e cila thuhet se tregon një tjetër ushtar izraelit në Gazë duke djegur një kopje të Kuranit.

IDF-ja ka njoftuar se po e heton incidentin e supozuar.

Ndryshe, djali i Netanyahut, Yair 32 vjeç, i cili besohet se jeton në një apartament luksoz në Miami, Florida, është një personalitet i diskutueshëm në Izrael.

Ai supozohet se dikur kishte ndikuar në vendimin e babait të tij për të shkarkuar një ministër. /Telegrafi/

Exit mobile version