Xhudisti i talentuar, Jon Kuka ka fituar medalje të bronztë në garën ndërkombëtare “Sarajevo European Judo Hopes Cup”.
Kjo garë për shpresat e xhudos nisi të shtunën në Sarajevë, ndërsa vazhdon edhe të dielën.
Është gara e parë zyrtare e EJU-së për xhudistët e grupmoshës U15. Po paraqiten plot 300 xhudistë nga 75 klube të 13 shteteve.
Jon Kuka garoi në kategorinë deri 46 kilogramë. Xhudistët e rinj pos garës gjatë qëndrimit në Sarajevë ndjekin edhe ligjërata për sportin e tyre.
Është kjo një iniciativë e re e Unionit Evropian të Xhudos për të rritur edhe më shumë sportin luftarak ku Kosova ka prekur kulmin.
Jon Kuka është djali i kryemjeshtrit të xhudos, Driton Kuka. Joni për trajnerë në Sarajevë i kishte kampionen olimpike, Majlinda Kelmendi dhe Fatos Tabakun.
Ka qenë Driton Kuka që ka falënderuar dyshen Kelmendi dhe Tabaku për punën e tyre me Jonin, duke ia atribuuar atyre suksesin e djalit të tij. /Telegrafi/