Ish-trajneri i Crystal Palace, Neil Warnock, ka treguar se e ka pasur mundësinë ta transferonte Virgil van Dijkun për pesë milionë funte (5.8 milionë euro) para se t’i bashkohej Southamptonit – mirëpo e anashkaloi këtë mundësi.
Holandezi shkëlqeu te Saints pas kalimit në vitin 2015 nga Celticu, për t’u shitur më pas te Liverpooli (në vitin 2018) dhe tash është shndërruar në njërin prej mbrojtësve më të mirë në botë.
Sipas Warnock, shqetësimet lidhur me ritmin e tij të lojës, bënë që ta refuzonte transferimin e futbollistit.
“Njëri që më shpëtoi nga dora ka qenë Virgil van Dijk. Mu ofrua kur isha te Crystal Palace për pesë milionë funte. Mirëpo shefi im i zbulimit të talenteve më tha se ishte shumë i ngadaltë dhe ai shkoi te Southamptoni!”.
“Është turp, sepse nëse diçka i mungon në ritëm, ai e plotëson dhjetëfish me aftësinë e tij për ta lexuar lojën”, ka deklaruar Warnock për The Mirror. /Telegrafi/