Më 18 prill në Maqedoninë e Veriut ka filluar fushata zgjedhore për zgjedhjet kuvendare, të cilat do të mbahen më 8 maj.
Telegrafi Maqedoni iu sjell disa nga aktivitetet e koalicioneve më të mëdha, të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet për deputetë.
Koalicioni “Për ardhmëri evropiane” i udhëhequr nga LSDM, ka mbajtur pushim në Veles, ndërsa Dimitar Kovaçevski prej atje tha se partia e tij gjithmonë ka treguar lidership dhe përgjegjësi.
“Shohim që tensionet për zgjedhjet tashmë po rriten. Dhe ka një arsye për këtë. Këto zgjedhje janë vendimtare për të ardhmen tonë. Këto zgjedhje janë votë pro ose kundër të ardhmes sonë evropiane! Dhe kur dëgjoj tone kërcënuese, më kujton menjëherë atë që ndodhi njëzet e ca vjet më parë në malet përreth nesh. Unë dua t’i them komunitetit shqiptar: Edhe ky është vendi juaj, askush nuk mund t’jua marrë të drejtat tuaja. Ato janë të shkruara në Kushtetutë. Por ju keni edhe një përgjegjësi. Dhe nëse shpresoni se pakënaqësia do të kthehet në dhunë, e keni gabim. Qytetarët nuk do ta lejojnë këtë, asnjë person i arsyeshëm nuk do ta lejojë këtë”, tha Kovaçevski.
OBRM-PUDKM-ja dhe koalicioni kanë mbajtur tubim në Probishtip. Prej atje Hristijan Mickoski tha se në këto zgjedhje qytetarët do të vendosin se çfarë ardhmërie duan të kenë.
“Ju lutem mos harroni se të mërkurën, dy ditë nga sot, do të vendosni se çfarë të ardhmeje do të ketë familja juaj në Maqedoni, ky është një vendim personal dhe mos lejoni askënd të ndikojë në vendimin tuaj”. tha Mickoski, duke kërkuar mbështetje për Gordana Siljanovska-Davkovën.
Fronti Evropian mbrëmë ka mbajtur tubimin qendror në Shkup, ndërsa fjalime kanë mbajtur të gjithë liderët e koalicionit. Ali Ahmeti tha se e ardhmja është bashkimi vullnetar, dhe me mision fisnik për të gjithë qytetarët për integrimin e vendit në BE.
“Ardhmëri ka vendi vetëm me anëtarësimin në BE. Ne jemi të gjithë bashkë për të dhënë disa porosi, të dëgjojnë të gjitha ata se ne nuk garojmë e konkurrojmë as në zonën tre e në zonën katër, mobilizohen që ne të mos fitojmë andej le ta shohin që sonte nuk do t’i marri gjumi do të harrojnë edhe treshin edhe katrë”, tha Ahmeti.
Kandidati i VLEN-it për president, Arben Taravari sot bashkë me liderët e koalicionit VLEN, mbajti tubimin e fundit në Shkup në sheshin “Skënderbeu”. Kryetari i Alternativës Afrim Gashi, në tubimin qendror të koalicionit VLEN në Sheshin Skenderbeu në Shkup, bëri thirrje që çdo votë më 24 prill të bëhet VLEN. Ai tha se kandidati i VLEN-it për president, Arben Taravari, është kandidati i vetëm që përfaqëson shqiptarët në këto zgjedhje presidenciale.
“Atëherë kur të tjerët thoshin se nuk është koha për president shqiptar, ne, ashtu siç premtuam, e kandiduam Dr. Arbenin i cili është kandidati i vetëm që i përfaqëson shqiptarët, që ka dalë nga një koalicion shqiptar, që mbështetet nga mërgata shqiptare dhe nga kryeministri Albin Kurti”, tha Gashi./Telegrafi/