Gjykata Kushtetuese sot hapi dyert e saj për qytetarët, e veçanërisht për studentët e drejtësisë, përfaqësuesit e komunitetit juridik, nxënësit e vizitorë të tjerë të cilët patën mundësi që të vizitojnë objektin e saj dhe të njihen më për së afërmi me historikun, punën e deritanishme dhe me kompetencat kushtetuese të këtij institucioni.
Ekipi i Telegrafit gjatë vizitës që ia bëri Gjykatës takoi disa studentë të fakultetit Juridik të cilët me shumë vëmendje dëgjonin ligjëratën e gjyqtarit, Jeton Bytyqit.
Studentja e vitit të dytë të fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, Elena Halilaj shprehu entuziazmin dhe rëndësinë e kësaj përvoje për të mësuar drejtpërdrejtë nga profesionistët e fushës dhe për të marrë një kuptim më të thellë rreth punës dhe rëndësisë së Gjykatës Kushtetuese.
“Ligjerata ka qenë shumë e mirë për neve dhe besoj që ka me na ndihmu shumë në të ardhmen edhe në profesionin tonë. Ka qenë një eksperiencë tepër e mirë që na ka ndihmu neve shumë dhe besoj që do të na hyjë në punë shumë në të ardhmen. Jam shumë e gëzuar që e pata këtë mundësi me ardh me vizitu sidomos për ‘Ditën e Kushtetutës’.
Edhe Olta Selimi e cila po ashtu është studente e vitit të dytë në fakultetin e drejtësisë shpreson që në të ardhmen të bëhet pjesë e kësaj Gjykate.
“Kur hymë ishte një ndjenjë shumë interesant, pasi thamë krejt kemi me ardh këtu me punu, shpresojmë në të ardhmen. Edhe ligjërata i kemi dëgjuar dhe ka me na ndihmu shumë besoj”, ka thënë Selimi.
Edhe nxënësit e shkollës fillore e mesme e ultë (ShFMU) “Besim Rexhepi”, nga Komogllavë komuna e Ferizajt vizituan hapësirat e Gjykatës Kushtetuese.
Ndryshe, Kushtetuta e Kosovës është miratuar me 9 prill të vitit 2008, dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. /Telegrafi/