Telegrafi

Dita e dhjetë e agresionit rus në Ukrainë – çfarë ka ndodhur deri tani?

Agresioni rus në Ukrainë sapo ka hyrë në ditën e tij të 10-të dhe ukrainasit po vazhdojnë të përballen me një gjë të tillë.

Dhe që nga dita e parë atje ka pasur zhvillime të shumta, që nga dëmet e mëdha materiale, po ashtu edhe humbje të jetëve të njerëzve, përcjell Telegrafi.

E gjitha erdhi pas kërcënimeve disamujore se do të fillojë pushtimin e Ukrainës, presidenti rus Vladimir Putin më 24 shkurt urdhëroi operacionet ushtarake në këtë shtet evropian.

Më poshtë ua sjellim një përmbledhje të zhvillimeve kryesore deri më tani atje:

Numri i viktimave civile është ende i paqartë, por agjencia e OKB-së për refugjatët thotë se më shumë se një milion njerëz kanë ikur nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt me miliona të tjerë në lëvizje;

Qyteti i parë ukrainas që ra nën duart e rusëve ishte Kherson, i vendosur aty ku lumi Dnieper takohet me Detin e Zi;

Raketat ruse kanë synuar gjithashtu kryeqytetin Kiev dhe qytetin e dytë më të madh Kharkiv. Një kolonë masive e blinduar që i afrohet Kievit me rrugë është aktualisht e bllokuar;

Porti jugor i Mariupolit është ende nën rrethim dhe trupat ruse po shkojnë gjithashtu drejt një porti tjetër, Odessa – marrja e dy porteve do të ndërpresë qasjen në det të Ukrainës;

Trupat ruse kanë marrë nën kontroll gjithashtu centralin bërthamor të Zaporizhzhia, më i madhi në Evropë, pasi e kanë granatuar për orë të tëra të premten. Lëvizja alarmoi liderët botërorë të cilët thanë se sulmi mund të kishte shkaktuar një katastrofë;

Termocentrali i Çernobilit tashmë “në pension”, vendi i aksidentit bërthamor të vitit 1986, është gjithashtu nën kontrollin rus;

Presidenti ukrainas Volodymr Zelensky ka dënuar Perëndimin për refuzimin e vazhdueshëm për të zbatuar një zonë të ndaluar fluturimi mbi vendin e tij, duke thënë: “Të gjithë njerëzit që vdesin do të vdesin për shkakun tuaj”;

SHBA dhe BE kanë vendosur sanksione gjithëpërfshirëse duke ngrirë asetet ruse, duke synuar bankën qendrore të vendit, Vladimir Putinin dhe rrethin e tij të ngushtë. Rubla ka shënuar rënie në vlerë, të cilat kanë goditur gjithashtu tregtinë, investimet dhe udhëtimin;

Firmat e pavarura mediatike, përfshirë BBC-në, kanë pezulluar punën në Rusi pasi ajo miratoi një ligj që censuron raportimin e luftës në Ukrainë;

Një mori kompanish – nga Samsung te Airbnb dhe Cartier – kanë pezulluar eksportet në Rusi ose operacionet në Rusi duke përmendur luftën. /Telegrafi/