Telegrafi

Dita Botërore e Higjienës Menstruale, kërkohet të hiqet taksa për produktet esenciale  

Sot shënohet 28 Maji, Dita Botërore e Higjienës Menstruale, ndërsa Rrjeti i Grave të Kosovës bën të ditur se ka dërguar te Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve rekomandimet përmes së cilave ka kërkuar heqjen e taksës prej 18 për qind në produktet menstruale.

RrGK ka përsëritur se kjo taksë është diskriminuese dhe barrë shtesë për vajzat dhe gratë në Kosovë dhe pengesë drejt realizimit të së drejtës së tyre për kujdes të përballueshëm shëndetësor.

“RrGK rekomandon që të ndryshohet Ligji nr. 05/L-037 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, si dhe Udhëzimi Administrativ Mof- Nr. 03/2015 për Zbatimin e Ligjit Nr. 05/L-037 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, kështu që produktet e higjienës menstruale të lirohen nga TVSH-ja.

Teksa sot shënojmë 28 Majin-Ditën Botërore të Higjienës Menstruale, le të sjellim në sferën publike faktin se produktet menstruale nuk janë luks, dhe assesi nuk duhet të vazhdojnë të tatohen  si të ishin të tilla”, thuhet në njoftim.

Edhe organizata QIKA për vitin e dytë me radhë ka organizuar “Javën Kundër Varfërisë Menstruale dhe Stigmatizimit të Menstruacioneve” ku përveç publikimit të dhjetëra teksteve informuese për shëndetin menstrual, po ashtu ka shpërndarë peceta menstruale falas në shkolla, universitete dhe hapësira të tjera publike anekënd Kosovës.

“Viteve të fundit kemi një lëvizje globale që ka sjellë në debat publik konceptin e ‘barazisë menstruale’ i cili nënkupton qasje në produkte menstruale falas si një e drejtë elementare, si dhe lirimin nga taksat shtetërore për produktet e tilla. Në Kosovë nuk kemi vërejtur asnjë iniciativë të institucioneve publike për të zbutur varfërinë menstruale, përkundrazi pecetat menstruale sipas Ligjit për TVSH nuk bëjnë pjesë në produktet esenciale dhe si të tilla taksohen 18%. Ne konsiderojmë që taksimi i produkteve menstruale është diskriminues”, thuhet në reagimin e organizatës.

Aktualisht produktet e higjienës për ciklin menstrual tatohen në Kosovë për 18% të vlerës së tyre, njësoj siç tatohen edhe produktet e luksit.  /Telegrafi/