Telegrafi

Diskutohet mundësia e kthimit të shikuesve në ngjarjet sportive

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS), Vlora Dumoshi dhe ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj janë pajtuar që të bëhet një ri-vlerësim i situatës me coronavirus në lidhje me vazhdimin e aktiviteteve në sport dhe kthimin e mundshëm të shikuesve në ngjarjet sportive.

Në një postim në Facebook, ministrja Dumoshi ka thënë se relaksimi i masave specifike të vendosura në sektorin e sportit për të penguar përhapjen e epidemiologjisë duhet të vazhdojë me kujdes dhe në mënyrë graduale.

“Duke pasur parasysh aftësinë e sportit për të kontribuar në mirëkuptimin e ndërsjellë në organizimin e stërvitjeve, ngjarjeve dhe duke iu nënshtruar situatës epidemiologjike në Kosovë, kërkuam që sipas rekomandimeve te IKSHP-së sportistët, trajnerët dhe tifozët duhet të rikthehen në mënyrë të sigurt, duke marrë parasysh natyrën specifike te sportit”, ka shkruar Dumoshi.