Hapja e urës së Ibrit vazhdon të kundërshtohet nga ndërkombëtarët, të cilët kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të mos ndërmarrë veprime të njëanshme. Madje, nga Bashkimi Evropian, disa ditë më parë, deklaruan se masat sanksionuese ndaj Kosovës janë ende në fuqi dhe se në varësi të zhvillimeve, ato mund të rriten ose të zvogëlohen.
Përkundër deklaratave nga ndërkombëtarët, Qeveria e Kosovës mban qëndrimin se ura duhet të hapet dhe se kjo nuk është kundër askujt.
Analisti politik, Gazmir Raci, duke komentuar zhvillimet e fundit, tha për Telegrafin se hapja e urës nuk duhet të shihet si shqetësim, por si diçka pozitive.
“Janë mbi tri marrëveshje të arritura për urën e Ibrit. Dhe asnjëherë ura nuk është hapur. Është e pakuptimtë që ura kryesore të jetë e mbyllur, përderisa tri ura të tjera që lidhin veriun me jugun janë të hapura. Në aspektin e sigurisë nuk ka asnjë shqetësim në këtë drejtim”, potencoi ai.
Raci shtoi gjithashtu se urat lidhin njerëzit dhe nuk bëjnë ndarjen.
“Edhe ura e Ibrit duhet të shërbejë për lidhjen, afrimin, zhvillimin, lëvizjen e lirë të njerëzve dhe kapitalit, dhe nuk duhet parë si shqetësim ose kërcënim nga njëri komunitet për tjetrin,” shtoi ai më tej.
Për analistin Raci, deklaratat e Bashkimit Evropian për mundësinë e sanksioneve të tjera ndaj Kosovës janë të pakuptimta.
“Janë të pakuptimta deklaratat e BE-së për të vendosur sanksione të tjera ndaj Kosovës, përderisa Kosova vazhdon të jetë aleat i palëkundur i Perëndimit. Ndërsa, në anën tjetër, Serbia që bashkëpunon ushtarakisht me Kinën komuniste nuk ndëshkohet nga BE-ja, edhe pse ka statusin e vendit kandidat për BE dhe është në partneritet me paqen me NATO-n,” theksoi ai.
Raci gjithashtu tha se BE duhet të ketë shumë kujdes në qasjen e saj ndaj Ballkanit Perëndimor.
“BE duhet të jetë shumë e kujdesshme me Ballkanin Perëndimor, sepse në të kaluarën, Ballkani Perëndimor ka qenë vatër e luftërave të përgjakshme. Dhe nuk duhet të shkohet në atë drejtim. Duhet të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme, me njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Pa njohjen e Kosovës nga Serbia, paqe të qëndrueshme nuk do të ketë në Ballkanin Perëndimor,” u shpreh ai.
Njohësi i çështjeve politike pohoi se ekzistojnë marrëveshjet për urën e Ibrit, prandaj nuk ka nevojë për diskutime të mëtejshme.
“Nëse janë katër marrëveshje për urën e Ibrit për hapjen e saj, dhe janë mbi 10 vjet dialog për këtë çështje, unë mendoj se nuk ka më hapësirë për dialog me dikë, për diçka që është në territorin tonë, dhe që garanton lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Është e pakuptimtë të pyetet dikush, sidomos në Bruksel. Ura duhet të hapet, dhe nëse nuk hapet tani, ajo do të mbetet simbol i ndarjes dhe nuk do të hapet më kurrë,” sqaroi ai.
Edhe analisti tjetër, Dritëro Arifi, është i mendimit që Kosova është në të drejtën e saj që të ndërmarrë diçka për urën e Ibrit.
“Unë mendoj që të dyja palët po nxitojnë. Por, Kosova është në të drejtën e saj që të ndërmarrë diçka për urën, sepse ajo marrëveshje ka përfunduar. Esenca është se si të krijohet mirëbesimi, por Qeveria e Kosovës nuk ka punuar shumë për të krijuar mirëbesim me BE-në dhe partnerët e saj perëndimorë, dhe kjo çështje, pra hapja e urës, do të ishte shumë sekondare dhe e parëndësishme,” potencoi ai.
Arifi po ashtu tha se BE ka një qasje të ashpër ndaj Kosovës.
“Në anën tjetër, Bashkimi Evropian po tregohet shumë i ashpër me Kosovën, duke mos ofruar asgjë. Pra, në një farë mënyre, mos-mbështetja e Kosovës po krijon politika popullsite brenda Kosovës, dhe këtu duhet gjetur një zgjidhje”, shtoi ai.
Analisti politik po ashtu bëri disa kritika për Qeverinë, duke thënë se ajo nuk ka krijuar bashkëpunim dhe mirëbesim me ndërkombëtarët.
“Qeveria nuk po e kupton se politika e jashtme nuk është ‘ose, ose’, pra jetë ose vdekje, por është ‘edhe, edhe’, pra edhe hapja e urës dhe krijimi i bashkëpunimit dhe mirëbesimit me ndërkombëtarët. Kjo do të ishte një politikë e zgjuar e jashtme, por fatkeqësisht nuk po e shohim”, nënvizoi ai.
Sipas Arifit, çështja e urës së Ibrit është mbyllur më herët, duke shtuar se “qeveria duhej të krijonte mirëbesim, dhe hapja të mos bëhej temë”.
Ndryshe, autoritetet e Kosovës kanë nisur procedura për testimin e fuqisë mbajtëse të urës së Ibrit, si hap para hapjes së saj për qarkullim të automjeteve.
Ky insistim është përballur me kundërshtim të bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kanë kërkuar edhe një hap shtesë, një diskutim të ri në dialogun Kosovë-Serbi. Ndërkohë, kjo çështje nxiti serbët e Kosovës që të protestojnë duke kundërshtuar hapjen e urës. /Telegrafi/