Nënkryetarja e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Vlora Çitaku ka kritikuar Qeverinë e Kosovës e cila po përfshihet në vendimin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për dinarin serbë.
Çitaku përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Qeveria nuk duhet të përfshihet në vendimet e BQK-së.
“Njerëzit e vegjël korrin “fitore” të vogla, në përpjekje të dëshpëruara për ta kompensuar deficitin e rolit historik e patriotik.
Gjëja më e mirë që kish mundur ta bëjë qeveria lidhur me vendimin e BQK për përdorimin e valutave të huaja kish me qenë të qëndrojë e të mos përfshihet”, ka shkruar Çitaku.
Po ashtu nënkryetarja e PDK-së i shtroi pyetje Qeverisë: “Çka po trumpetoni tash, pashë zotin? Çka do të sillni tani me dinarin?”.
“Ky vend e ky popull e ka dëbuar ushtrinë e policinë e Serbisë, e ka shpallur pavarësinë, e ju flisni për dinarin e disa pensionistëve. Njëjtë si me targat, që nuk solli asnjë të mirë, por e solli draftin e statutit për asociacionin që e tejkaloi marrëveshjen e 2013 në Bruksel. Çka do të sillni tani me dinarin?
Çështja e dinarit është punë e BQK-së. Vendimit duhet t’i kishte paraprirë një fushatë intensive informuese, në mënyrë që mos të keqpërdoret nga kundërshtarët e shtetit të Kosovës”, tha ajo.
Tutje Çitaku u shpreh se çështja e Qeverisë është njohja reciproke mes Kosovës e Serbisë, integrimi në NATO dhe BE.
“Kosova është çliruar në vitin 1999 dhe është pavarësuar në vitin 2008. E, çështje edhe më e rëndësishme e më imediate për qeverinë është përmirësimi i jetës së qytetarëve, të bëjë diçka për ekonominë, të rritet ekonomia e të hapen vende të punës; të përmirësojë arsimin e shëndetësinë, të rregullojë rrugët e infrastrukturën në përgjithësi”, ka shkruar Çitaku. /Telegrafi/