Site icon Telegrafi

Dillian Whyte kërkon rimeç me Furyn, pasi e quan ilegale “shtyrjen pas goditjes”

(Foto: Screenshot/Newsdelivers)

Dillian Whyte e ka bërë të qartë se dëshiron një rimeç ndaj Tyson Furyt pas humbjes me nokaut në duelin e të shtunës në Wembley.

Sipas boksierit që e humbi sfidën në raundin e gjashtë, shtyrja që i bëri kundërshtari menjëherë pas goditjes nga poshtë – ishte e paligjshme dhe bëri atë ta godiste kokën gjatë procesit.

33-vjeçari Fury i mbrojti titujt WBC dhe The Ring në kategorinë peshave të rënda me triumfin në prezencë të 94.000 tifozëve në Londrën perëndimore.

Derisa pritej që Tyson ta fitonte duelin me pikë, disa sekonda para se të përfundonte raundi i gjashtë, Gipsy King e goditi me ‘uppercut’ dhe e nokautoi rivalin e tij, ndërsa Whyte nuk mund të vazhdonte më tej.

Lexo po ashtu Publikohet videoja, aty ku nga "upercuti" i Tyson Furyt, dhëmbi i Dillian Whyte 'fluturon' jashtë ringut

Në një prononcim për Sky Sport, anglezi me origjinë nga Xhamajka, e ka quajtur të paligjshme shtyrjen dhe ka kërkuar rimeç ndaj kampionit.

“Ai (Fury) tha se do të pensionohet, por shpresoj të mos pensionohet, sepse dua edhe një përballje. Është e qartë se kur po përpiqesha t’i rikuperoja ndjesitë e mia, ai më shty plotësisht. Unë rashë dhe godita kokën në shtrojë, gjë që është e paligjshme. Kjo nuk është mundje, ky është boks”.

“Por, siç ndodh rëndom, Furyn e lënë të bëjë çfarë të dojë dhe të shpëtojë. Duhej të më ishte dhënë kohë shtesë për rikuperim dhe të vazhdoja me meçin, ndërsa atëherë ai më shtyu. Më pas, madje, Fury i tha gjyqtarit: ‘Oh, mos e lë duelin të vazhdojë’”, ka deklaruar Whyte. /Telegrafi/

Exit mobile version