Heshtja kishte zënë vend në çdo cep tek shtëpia e familjes Poroshtica, nga Hajvalia e Prishtinës. Vetëm një zë i çjerrur dëgjohej tek thoshte “mbylleni derën”. Ishte nënë Qamilja, 94 vjeçarja e strukur nën batanijen e saj, pasi kishte të ftohtë.
Në këndin tjetër të dhomës ishte i shtrirë kryefamiljari i kësaj shtëpie, Valbon Poroshtica.
Ai është bërë operacion dhe nuk mund të çohet në këmbë për të punuar e gjallëruar.
Ndërsa gruaja e tij, lëvizte nëpër shtëpi për t’i shërbyer dy të sëmurëve, me aq sa kishte mundësi, pasi dhe ajo vuante nga reuma dhe shtylla kurrizore.
E vetmja e qeshur në këtë shtëpi, ishte vajza 8 vjeçare, Fatlona. Ajo ishte shumë e dashur me të gjithë, luante në oborrin e saj, pa e kuptuar se sa vuajnë prindërit e saj, që t’ia sigurojnë një të ardhme më të mirë.
Telegrafi e vizitoi këtë familje, që ata të tregonin shqetësimet e tyre shëndetësore dhe vështirësitë ekonomike me të cilat përballen, e të cilat ishin të panumërta.
Valboni deri në vitin 2019 kishte punuar dhe sot ai nuk mund të çohet nga shtrati pa u shëruar plotësisht. Ai ka nevojë për barna, kujdes, për higjienë e çka mos.
“Jam shumë keq. Jam bërë operacion, njëherë në vitin 2008 dhe tash prapë. Edhe mjeku më ka thënë që ke mundur dhe me vdek. Jetoj me gruan, me vajzën dhe me gjyshen 94 vjeçare”, fliste Valboni i shtrirë në shtrat.
I vetmi burim financiar i tij, ishte pensioni i gjyshes, 94 vjeçare. Por a mjafton një shumë e tillë për t’i përballuar dallgët e rënda të jetës?
“Nuk kemi të ardhura financiare, ia dalim duke na ndihmu dikush. S’kam pare as për gjyshe as për qikë për shkollë. Edhe vet jam shumë keq, s’di a shpëtoj. Hiç s’kam qejf me dalë para kamerave por m’ka ardhur puna dhe me të vërtetë jam keq”, tha ai me zërin e tij të dridhur.
Të gjitha dyert thotë se i ka thuajse të mbyllura.
Valboni s’dinë çfarë të bëj pasi për momentin është i lidhur për shtratin e tij.
“Dikush për hatër të Zotit mem ndihmu. Ai që ka mundësi me na ndihmu, Zoti e shpërbleftë. Kemi pak dru për dimër, po nuk dalin. Vajza ka nevojë për gjithçka, për mu vesh, për gjëra për shkollë. Ajo shyqyr Zotit është mirë me shëndet, por unë, gruaja dhe gjyshja jemi shumë keq. Gjyshes ka filluar t’i humb edhe vetëdija, rrëzohet – çohet, mos vet”.
Valboni nuk ndalonte së kërkuari ndihmë nga kushdo që ka mundësi.
Gjendja e tij shëndetësore ia pamundësonte që ta ndihmojë familjen.
Çdo gjë përreth tij ishte e zbrazët, ai kërkonte që familja e tij të mos vuante bashkë me të, edhe pse kjo ishte e pamundur.
“Kjo është shpija jonë. Po e shikoni në çfarë gjendje është. Unë vuaj nga 2008 nga sëmundja. Kam punuar më herët, deri në vitin 2019, po tash nuk mundem. Nëse bëj mirë, besoj që isha kthyer prapë në punë, por për momentin s’jam në gjendje deri në banjë dhe këtu, s’mundem më shumë”, tha ai gjersa shikonte vajzën e tij, tek i qëndronte afër dhe e shikonte.
Edhe gruaja e tij Bege Poroshtica, vuan nga unazat dhe reuma.
Ajo detyrohet të ndez zjarrin në këto ditë të ftohta vjeshte, të gatuajë e të kujdeset për burrin e shtrirë në shtrat, për gjyshen e sëmurë dhe të voglën e tyre, Fatlonën.
“Qysh po e shihni, jemi katastrofë. E kemi gjendjen shumë të keqe. Burri është i bërë operacion, qikën n ‘shkollë. Ajo lyp lapsa, fletore. Vet jam sëmurë, prej unazave, prej reume. Nga pak na kanë ndihmu, por pak. Kemi shumë nevojë për barna për gjithçka. Ai që na ndihmon Zoti e ruajt dhe e shpërbleftë, për këtë qikë më shumë”, rrëfen ngadalë e zonja e shtëpisë.
Të gjithë ata që kanë mundësi ta ndihmojnë Valbon Poroshticën dhe familjen e tij, mund të kontaktojnë në këtë numër telefoni: +38345466044./Telegrafi/