Real Madrid – Barcelona është ndeshja më e madhe në futboll, por njëkohësisht edhe një rivalitet i jashtëzakonshëm.
Viteve të fundit ishte një rivalitet edhe mes futbollistëve, ku kapiteni i Real Madridit në atë kohë, Sergio Ramos kishte shumë punë me Lionel Messin.
Sot dyshja janë bashkëlojtarë te Paris Saint Germain dhe janë miq shumë të mirë, përkundër rivalitetit të madh që kishin vite më parë sa ishin në La Liga, ku Ramos barti fanellën e Real Madridit derisa Messi atë të Barcelonës.
Për më shumë se një dekadë, të dy lojtarët ishin rivalë të ashpër kur luanin respektivisht për Real Madridin dhe Barcelonën.
Dyshja u bën bashkëlojtarë për herë të parë me PSG-në në vitin 2021 dhe është raportuar se fillimisht nuk shkuan shumë mirë , por Ramos tani ka zbuluar se marrëdhënia mes të dyve po lulëzon dhe thotë se ka një respekt të thellë për Messin.
“Marrëdhënia ime me Messin është diçka që unë mendoj se krijon kuriozitet tek të gjithë. Por në fund, ne jemi lojtarë që kemi të njëjtin objektiv, që është të fitojmë me Paris Saint-Germain dhe ta bëjmë ekipin të madh”.
“Marrëdhënia ime me Messin është e shkëlqyeshme. Ka një respekt të madh mes lojtarëve dhe një gjendje shpirtërore të shëndetshme”, deklaroi Ramos.
Tutje spanjolli tha Leo është një nga më të mirët në botë dhe është më mirë ta kesh shok skuadra se sa kundërshtarë.
“Sa herë që ju jepet zgjedhja për të pasur Messin me ose kundër jush, përgjigja është e shpejtë dhe e sinqertë. Leo vazhdon të performojë në nivelin më të lartë”.
“Messi është ende një nga lojtarët më vendimtar në botë dhe një nga më të mirët në histori, është privilegj ta kesh në skuadër. Është shumë më keq ta kesh kundër teje, kam vuajtur kundër tij për shumë vite”, u shpreh Ramos. /Telegrafi/