Mbrojtësi i majtë francez, Lucas Digne mund të rikthehet përsëri në Serie A.
I transferuar te Barcelona në verën e vitit 2016, francezi nuk ka arritur të marrë një rol të rëndësishëm tek katalunasit.
Kjo ka bërë që aventura e tij në Barcelonë të shkoj drejt fundit.
Durimi i francezit ka marrë fund dhe ai ka kërkuar largimin nga klubi në fund të sezonit.
24-vjeçari ka luajtur vetëm 18 ndeshje në të gjitha garat këtë edicion ku ka shënuar një gol dhe ka bërë një asistim.
Por mediat italiane kanë raportuar se e ardhmja e tij mund të jetë përsëri në Serie A.
Është kampioni në fuqi Juventus që ka filluar bisedimet me agjentin e lojtarit për transferimin e tij në Serie A.
Zonja e Vjetër po mendon shitjen e Alex Sandros dhe Digne shihet si zëvendësuesi i brazilianit.
Për ta transferuar në Serie A, Juventus është gati të paguajë një shumë rreth 17 milionë euro.
Digne ka qenë pjesë e Romës në Serie A si i huazuar nga PSG në edicionin 2015/16. /Telegrafi/