I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është takuar sot me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, ndërsa theksoi se kanë biseduar për hapat e ardhshëm konkret për dialogun në rrethanat aktuale.
Lajçak kështu njoftoi përmes një postimi në Twitter.
“Sot në mëngjes në Antalia pata një diskutim të dobishëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për hapat e ardhshëm, konkret për të çuar përpara agjendën tonë të përbashkët në rrethanat aktuale”, shkruan Lajçak.
Ditë më parë në Bruksel është zhvilluar takimi i gjashtë i grupeve punuese të Kosovës dhe Serbisë për targat e automjeteve.
Mbajtja e këtij takimi është konfirmuar nga i Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Lajçak, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se ekspertët e BE-së ndihmuan të dy delegacionet në identifikimin e të gjitha opsioneve ekzistuese dhe implikimet e tyre teknike.
Pas kësaj, njohësi i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Janusz Bugajski, i ka reaguar ashpër përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Bugajski e quajti “shaka”, deklarimin e Lajçakut në lidhje me zgjidhjen e problemit për targat mes Kosovës e Serbisë.
Ai është shprehur se është koha që Kosova dhe Bosnja e Hercegovina të hyjnë në NATO.
“Kjo duhet të jetë një shaka. Ukraina po digjet, regjimet ruse dhe serbe po destabilizojnë Evropën dhe BE-ja po negocion targat? Është koha që Kosova dhe Bosnja të hyjnë në NATO”, shkruan Bugajski. /Telegrafi/
This morning in Antalya, I had a useful discussion with Kosovo Prime Minister @albinkurti about concrete next steps in order to take our common agenda forward in the current circumstances. pic.twitter.com/8JjrNslap3
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) March 12, 2022