Sot në Bruksel do të mbahet takimi i ardhshëm në mes kryenegociatorëve të dialogut Kosovë- Serbi, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Fokusi i takimit pritet të jetë implementimi i marrëveshjeve të arritura, derisa kryenegociatorët pritet të kenë takime veç e veç me ndërmjetësin e Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, por pritshmëritë janë që nuk do të ketë takim në mes Bislimi dhe Petkoviq..
Para takimit ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak vizitoi Prishtinën e Beogradin për të caktuat datën dhe agjendën e takimit të sotëm. Ndërkohë, pati deklarime se takimi i planifikuar ishte refuzuar nga pala serbe.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi më 13 shtator deklaroi se Serbia e ka refuzuar takimin në nivel kryenegociatorësh të planifikuar më 17 shtator, sipas rendit të ditës të përcaktuar nga ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës njoftoi se zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi ka udhëtuar drejt Brukselit, ku do të marrë pjesë në takimet e radhës të parapara në kuadër të procesit të dialogut, raporton kp.
Ndryshe, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dje ka ripërsëritur se dialogu ka vdekur për këtë vit. Edhe analistët nuk presin që do të ketë ndonjë hap konkret sa i përket dialogut, duke pas parasysh se në Kosovë tanimë është caktuar data e zgjedhjeve nacionale, të cilat do të mbahen në muajin shkurt.