Këngëtarja Dhurata Ahmetaj që u rikthye në skenën shqiptare pas një kohe të gjatë me projektin “Bone pa mu” ka deklaruar në “Express” të KTV-së se sivjet nuk e ka në plan të ndalet.
Ajo ka falënderuar fansat për përkrahjen që i kanë bërë në këngën e sapo lansuar për të cilën përkrahje thotë se nuk e ka pritur.
“Jam befasuar që u prit kaq mirë. Kam punuar shumë dhe kam prit përkrahje, por jo deri në këtë masë. Është ndjenjë e mirë kur puna jote pritet mirë prej publikut”, ka thënë Ahmetaj, raporton koha.net.
Bukuroshja shqiptare në këtë intervistë ka deklaruar se është ndarë e kënaqur edhe me faktin se teksti i shkruar nga ajo është pëlqyer.
Dhurata në disa pjesë të videoklipit është komentuar se ngjan me këngëtaren e famshme botërore Jennifer Lopez. Për këtë ajo thotë se është ndier e lumtur sepse J-Lo shpeshherë është zgjedhur femra më seksi në botë. Por, ngjashmërinë me artisten e famshme, Dhurata thotë të mos e ketë bërë qëllimisht.
“Edhe nëse kam pas dëshirë të dukem si ajo, nuk do të mundja. Në momente të caktuar, dikush i përngjan dikujt. Kuptohet që jam ndier mirë sepse ajo është përzgjedhur disa herë femra më seksi në botë”, tha Dhurata.
Në fund, ajo tregoi edhe për planet e së ardhmes ku theksoi se deri në fund të vitit do të lansojë edhe dy këngë të reja.
“Kënga e re vjen në shtator, sipas të gjitha gjasave do të jetë bashkëpunim. Kjo do të jetë bashkëpunim me një këngëtar. Deri në dhjetor del edhe një projekt tjetër”, shtoi Dhurata. /Telegrafi/