Dhjetëra luftëtarë të Hamasit janë dorëzuar te ushtarët izraelitë, kanë pohuar Forcat e Mbrojtjes të Izraelit.
IDF-ja pretendon se ka arrestuar një numër në rritje të burrave palestinezë për t’u marrë në pyetje ndërsa po ecën përpara me operacionin e saj në Gaza, shkruan Sky News, përcjell Telegrafi.
Zëdhënësi ushtarak izraelit Daniel Hagari tha se arrestimet janë bërë në dy bastione të Hamasit – Jabalia dhe Shijaiyah.
Ata që besohet se janë anëtarë të Hamasit merren për hetim, ndërsa të tjerëve u thuhet të shkojnë në jug.
“Ne kemi arrestuar dhjetëra terroristë”, citohet të ketë thënë Hagari, një veprim që ai e quajti “shumë të rëndësishëm”.
Ditët e fundit, janë shfaqur pamje që thuhet se tregojnë se ushtria izraelite ka arrestuar dhjetëra burra palestinezë.
Por Sky News shkruan se nuk i ka verifikuar në mënyrë të pavarur pamjet.
Në një nga videot, të arrestuarit u shfaqën të zhveshur deri në të brendshme, të lidhur dhe me sy të lidhur.
Zyrtarët izraelitë kanë thënë se ata janë zhveshur për t’u siguruar që nuk po fshehin eksplozivët.
Por të arrestuarit nga një grup që u liruan të shtunën thanë për Associated Press se ishin rrahur dhe se iu mohua ushqimi dhe uji. /Telegrafi/