National Democratic Institute (NDI) në Kosovë së fundmi ka publikuar raportin vjetor “Sfidat e integritetit të informacionit: Një kërcënim në rritje për demokracinë e Kosovës”, mbi monitorimin në internet dhe mediat sociale midis marsit 2020 – shkurt 2021.
Lidhur me të gjeturat e këtij raporti në një intervistë për “Përballje” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ka folur zëvendësdrejtori i NDI, Valon Kurhasani.
Gjetjet kryesore tregojnë se dezinformimi dhe gjuha nxitëse paraqesin kërcënim për mjedisin medial të Kosovës.
Sipas Kurhasanit edhe pse qytetarët janë të vetëdijshëm për këto fenomene, ka mungesë të verifikimit të fakteve dhe mungon edukimi medial.
“Dezinformimi apo keqinformimi, gjuha nxitëse e urrejtjes, të gjitha këto ne i konceptojmë si informacion i ç ‘rregullt. Kjo është kërcënim për diskursin publik të demokracisë jo vetëm në Kosovë por edhe në botë”, u shpreh Kurhasani.
Ai shtoi se tendenca për të marrë një informacion shumë shpejt e ka vendosur Kosovën në një hapësirë mediale të cenueshme.
Kurhasani ka shtuar se në këtë aspekt më së shumti kanë ndikuar politikanët dhe partitë politike.
“Tendenca për me marrë një informacion shumë shpejt dhe nga të gjitha anët pa verifikim të burimeve e ka vendos Kosovën si një hapësirë mediale të cenueshme nga dezinformimi, qoftë i brendshëm apo i jashtëm. Ky dezinformim po ndodh në disa nivele. Niveli më i madh apo hapësira më e madhe ku ndodh ky denzinformim është në kontekst të shtyrjeve politike ku akterë janë politikanët dhe partitë politike që kanë krijuar një ambient të kontaminuar të informacionit në shpërndarjen e dezinformatave, propagandave, gjuhës së urrejtjes etj”, tha Kurhasani.
Zëvendësdrejtori i NDI, shtoi se kjo është një shkurt-pamësi e partive politike për të arritur qëllime afatshkurta duke e dëmtuar oponent politik.
“Kosova ndahet në dy hapësira të informacionit serbishtfolës dhe shqipfolëse. Ndikimi është i ndryshëm në secilën prej tyre. Tendenca për me plasu shumë shpejt lajmin dhe me marr të gatshëm ne e kemi identifikuar që edhe gazetarët punojnë në kushte jo të favorshme në Kosovë, qoftë në aspektin e respektimit të ligjit të punës, qoftë në aspektin e kërcënimeve që i marrin nga politika”, tha Kurhasani.
Ai theksoi se në Kosovë 75% e njerëzve diskutojnë për politikë online, krahasuar me vendet tjera në rajon.
Kurhasani në këtë intervistë ka folur për influencën që ndodh në Kosovë dhe vendet e rajonit kryesisht që vjen nga Serbia, Rusia e Kina. Ai ka treguar për rrezikun që ka shoqëria e Kosovës nga lajmet e rrejshme, propagandat dhe parandalimet që duhet të ndodhin. /Telegrafi/