Telegrafi

Detin e shohin në ëndërr: Të rinjtë e Kosovës, me pak e hiq mundësi financiare për pushime verore (Audio)

Shumë të rinj të Kosovës, pavarësisht dëshirës së tyre që ta kalojnë një pjesë të pushimeve në bregdet, nuk kanë mundësi financiare për këtë. Shumica nga ta janë studentë të papunë dhe të varur financiarisht nga prindërit.

Studenti i Fakultetit të Muzikës, Premtim Dula, thotë se për pushime verore nuk do të mund të shkojë askund, pasi që është i papunë.

“Jam i varur financiarisht. Nëse më ndihmojnë prindërit, do të shkoj. Ndryshe nuk kam mundësi”, thotë Premtimi.

Drilon Galica, student në Fakultetin e Muzikës shprehet ngjashëm: “Nuk kam mundësi. Nëse ndonjëherë kam shkuar, më kanë financuar prindërit”.

Edhe Albina Beka, që studion Psikologji klinike, thotë se nuk ka punë të qëndrueshme!

“Vitet e kaluara kam shkuar me prindër, por tre vitet e fundit nuk kam pasur mundësi të shkoj më as me ta”, tregon Albina.

Qëndresa Llapashtica thotë se asnjëherë nuk ka shkuar vetë ose me shoqëri në pushime, për shkak të pamundësisë financiare.

“Me prindër do ta shqyrtojmë mundësinë dhe do të shkojmë në Ulqin”, shprehet Qëndresa.

Kështu, shumicës i mbetet që ditët e nxehta t’i kalojnë nëpër pishina lokale.

“Pushimet verore do t’i kaloj nëpër pishinat e Prishtinës. Jam studente dhe nuk kam mundësi të shkoj në bregdet”, tregon Miranda Krasniqi.

Por, ka edhe të tillë që ende nuk kanë vendosur se ku do t’i kalojnë pushimet, por që plane kanë. Njëra nga to është edhe Kaltrina, 25 vjeçe, gazetare me profesion.

“Do të shkoj në Turqi. Mendoj se ia vlen të pushoj shtatë ditë në vit, meqenëse punoj një vit”, shprehet Kaltrina. /REL/