Policia e Kosovës ka arritur gjatë ditës së djeshme të arrestojë personin më të kërkuar në Austri. Bëhet fjalë për Himë Lufajn nga Strellci i Poshtëm i Komunës së Deçanit, i cili që nga 30 prilli i vitit 2009 ka qenë në kërkim të EUROPOL-it.
Lufaj kërkohej për shkak se akuzohej për vrasje në tentativë të një polici vjenez, të cilin e kishte therur disa herë me thikë. Po ashtu, kishte tentuar të plaçkiste një grua në Austri, ndërsa plagosi keq – prapë me thikë – një kalimtar që deshi ta ndihmonte atë grua, transmeton Telegrafi.
Ai ka qenë një ndër dy personat më të kërkuar në botë – prej autoriteteve te drejtësisë austriake – ndërsa që nga 2016 ishte edhe në ueb-faqen e personave më të kërkuar të EUROPOL-it të quajtur ENFAST.
Arrestimi i tij ka ndodhur në bashkëpunim të ekipit për persona të arratisur “FAST Kosova” me partnerët e tyre ndërkombëtarë.
Lufaj është vëllai i Ilmi Lufajt i cili ishte vrarë më 11 prill të 2016-tës, nga rreshteri Shefqet Kamberaj. 35-vjeçari Ilmi Lufaj ishte qëlluar me dy plumba në kokë, me t’u afruar dhunshëm afër Stacionit Policor në Deçan.
Në një prononcim për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka thënë se arrestimi i Himë Lufajt ka ndodhur në Strellc.
“Gjate bashkëpunimit te Policisë se Kosovës me autoritetet austriake, është ardhur në përfundim se Lufaj ishte në fshatin e tij të lindjes, në perëndim te Kosovës. Me përkrahjen e autoriteteve austriake, në vitin 2016 është themeluar – në Policinë e Kosovës, respektivisht tek Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar në fushën e zbatimit te ligjit (ILECU) – Ekipi për Persona te Arratisur (FAST KOSOVA). Ky ekip ishte integruar ne ENFAST (Europian Network for Fugitive Active Search Teams). Pas dorëzimit te rastit, dje, me 23 maj 2017 – nga autoritetet austriake tek Ministria e Drejtësisë dhe mandej Prokuroria dhe Gjykata Kompetente – FAST Kosova, së bashku me njësit e vëzhgimit dhe NJSI-në (Njësia Speciale Intervenuese) e Policisë se Kosovës, kane reaguar. Në orët e pasdites të së enjtes ata e kanë arrestuar Lufajn”, ka thënë Hoxha.
Hoxha më tej ka treguar se Ministria e Punëve të Brendshme ka nënshkruar marrëveshje me organizatat dhe rrjetet ndërkombëtare rajonale, si FRONTEX, SEEFEG dhe OLAF, dhe se dalngadalë Policia e Kosovës po bëhet pjesë e institucioneve evropiane për siguri.
Ai ka shtuar se për punë më efikase PK-ja ka nevojë që të jetë pjesë e INTERPOL-it dhe EUROPOL-it.
“Intervenimi dhe arrestimi i djeshëm tregon se Policia e Kosovës dhe autoritetet kosovare te drejtësisë, në përgjithësi, janë krijuese të sigurisë ne rajon. Sukseset mund të arrihen më shumë kur Republika e Kosovës dhe Policia e saj bëhen pjesë e familjes së institucioneve të rëndësishme evropiane dhe botërore”, u shpreh Hoxha, duke thënë se persona te tjerë të arrestuar në shtetet e Evropës presin ekstradimet për në Kosove.
FAST Kosova, që nga themelimi i saj në qershor të vitit 2016 e deri me sot, ka kryer rreth 20 arrestime të profilit të lartë të karakterit ndërkombëtar (shtetas të huaj apo kosovarë) dhe ka listën me 10 persona me prioritet. /Telegrafi/