Policia e Kosovës përmes një njoftimi ka dhënë detajet rreth ngjarjes së mbrëmshme, kur pas një përleshje në mes këngëtarëve, kanë përfunduar dy me lëndime trupore dhe katër të arrestuar.
“Janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj shqiptarë, tre shtetas të Kosovës dhe një shtetas i Shqipërisë, pasi që të njëjtit pas një zënke të çastit janë përfshirë në një përleshje fizike (rrahje) në mes veti. Gjatë përleshjes të dyshuarit kanë përdorur edhe armë zjarri. Si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit njëri nga të dyshuarit (shtetas i Shqipërisë) si dhe një viktimë mashkull K/Shqiptar janë plagosur”, thuhet në njoftimin e PK-së.
I dyshuari i plagosur sipas policisë, pas pranimit të tretmanit mjekësor është liruar, kurse viktima i plagosur është ndaluar për tretman të mëtutjeshëm mjekësor në QKUK.
Në vendin e ngjarjes në cilësi të provave materiale është gjetur dhe konfiskuar një revole me një karikator me tre fishekë. Me urdhër të prokurorit dy nga të dyshuarit shqiptarë janë dërguar në mbajtje, kurse dy të dyshuarit tjerë njëri shtetas i Kosovës dhe tjetri i Shqipërisë janë liruar në procedurë të rregullt.