Site icon Telegrafi

Detaje rreth arrestimit të Stines

Këngëtari Ernest Duka, i njohur si Stine, është shoqëruar në polici, pas goditjes deri në gjakosje të këngëtarit Flori Mumajesi.

Mësohet se ai është shoqëruar në komisariatin Nr.1 në Tiranë gjatë pasdites së të dielës, i kapur në ambientet e një lokali, transmeton noa.al.

Mesnatën e të shtunës, ai akuzohet se goditi me shishe në kokë dhe grushte, këngëtarin Flori Mumajesi, si shenjë pakënaqësie për mosvlerësimin e këngës së tij me pikë gjatë Festivalit muzikor Kënga Magjike.

Duka u shpall në kërkim i akuzuar për “plagosje e lehtë me dashje” vepër penale që dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

Mes Stines dhe Florit ndërhyri edhe reperi Arkimed Lushaj (Stresi), ndërsa nuk dihet ende saktësisht roli i tij në këtë ngjarje.

“Më datë 06.12.2015, efektivët e Komisariatit Nr.1, bënë të mundur kapjen dhe shoqërimin e shtetasit të shpallur në kërkim E.D . Ky shtetas u shoqërua për sqarime të mëtejshme pasi ditën e sotme, në rrugën ‘Papa Gjonpali 2’,  për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta në kokë shtetasin F.M., 33 vjeç, banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Telegrafi/

Exit mobile version