Një aksion i gjerë kundër krimit të organizuar ka nisur mëngjesin e së mërkurës në rajonin e Dukagjinit, ku cak i bastisjeve janë një grup i dyshuar për kontrabandë të drogës dhe armëve.
Aksioni është duke u zhvilluar në Pejë, Istog, Klinë, Skenderaj dhe Mitrovicë.
Shkodran Nikçi nga Prokuroria Themelore e Pejës për Telegrafin, bëri të ditur se në këtë aksion janë arrestuar disa persona, ndërsa janë sekuestruar armë, para e telefona.
Po ashtu, Nikçi tha se është gjetur një plantacion me kanabis në fshatin Drejë e Istogut, ndërsa do të bëhet asgjësimi i tyre.
“Prokuroria Themelore në Pejë, departamenti i krimeve të rënda është duke zhvilluar sot një aksion në 5 komunat e Kosovës, Pejë, Istog, Klinë, Skenderaj dhe Mitrovicë dhe janë duke u bastisur 13 lokacione ku njëkohësisht është siguruar edhe vendi i ngjarjes ku dyshohet se ka plantacion të kanabisit”.
“Në fshatin Drejë të Istogut është gjetur plantacion me kanabis dhe do të bëhet asgjësimi i tyre. Po ashtu, në disa lokacione janë sekuestruar edhe armë, para, telefona dhe elemente tjera të veprës penale. Ka disa të arrestuar, por më vonë do të dalim me detaje”, deklaroi ai. /Telegrafi/