Ukraina po pretendon se Vladimir Putin ka larguar nga detyra shefin e forcave të tij ajrore për shkak të humbjeve të mëdha në luftë, të cilat vlerësohet se kanë arritur deri në 50,000.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, gjeneral-koloneli Andrey Serdyukov, 60 vjeç, ka “paguar çmimin e ‘viktimave masive’ shkatërruese midis parashutistëve”, pretendojnë autoritetet ukrainase.
Spekulimet vijnë pasi një burim rus sugjeroi se humbjet e përgjithshme të vendit në Ukrainë janë afër 50,000 – dukshëm më të larta se shumica e vlerësimeve të tjera.
Burime të pakonfirmuara ukrainase, të cituara nga zëdhënësi ushtarako-civil i Odessa, Serhiy Bratchuk, thonë se Putini e ka zëvendësuar atë me gjeneral-kolonelin Mikhail Teplinsky, 53 vjeç, shef aktual i shtabit të Qarkut Ushtarak Qendror, i cili ka lindur në rajonin e Donetsk.
Sidoqoftë, mediat botërore thonë se nuk ka pasur asnjë indikacion nga Moska se Serdyukov është shkarkuar.
Ai është një “Hero i Rusisë” – nderimi më i lartë i vendit – dhe shihet si një nga mendjet më të afta ushtarake të vendit.
Siç kujton Daily Mail, ai komandoi operacionin për aneksimin e Krimesë nga Ukraina në pranverën e vitit 2014 dhe raportohet se ka marrë pjesë në “përplasjen” në aeroportin e Prishtinës me forcat paqeruajtëse të NATO-s në vitin 1999 si një 37-vjeçar, kur trupat ruse u futën tinëzisht në aeroport.
Një pretendim i tillë i ukrainasve vjen në kohën kur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka paralajmëruar se lufta e Rusisë në Ukrainë mund të zgjasë me vite.
“Ne duhet të përgatitemi për faktin se mund të duhen vite. Nuk duhet të heqim dorë nga mbështetja e Ukrainës”, citohet të ketë thënë Stoltenberg për Bild am Sonntag.
“(Kjo duhet të vazhdojë) Edhe nëse kostot janë të larta, jo vetëm për mbështetjen ushtarake, edhe për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve”.
Një samit i NATO-s në Madrid në fund të këtij muaji pritet të sjellë një dakordim për një paketë ndihme për Ukrainën që do të ndihmojë vendin në kalimin nga armatimet e vjetra të epokës sovjetike në pajisjet standarde të NATO-s.
Ndërkohë SHBA ka transferuar më shumë se 1,400 sisteme anti-ajrore Stinger dhe 6,500 sisteme Javelin në Kiev, tha deputetja ukrainase Kira Rudik.
Lista përfshin gjithashtu helikopterët Mi-17, sistemet Harpoon dhe dronët, shkruan Sky News, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, Shtëpia e Bardhë njoftoi këtë javë se do të sigurojë një ndihmë ushtarake shtesë prej 1 miliard dollarësh për Ukrainën në mes të luftës së saj të vazhdueshme me Rusinë. /Telegrafi/