Telegrafi

Dëshmitarët rrëfejnë tmerrin që e panë: Piloti i helikopterit ukrainas nuk e pa rrokaqiellin – kishte mjegull

E përditshmja britanike The Guardian sjell rrëfimet e dëshmitarëve okularë, që panë momentin e rrëzimit të helikopterit në qytetin ukrainas Brovary në afërsi të Kievit.

Ata thanë se aksidenti ndodhi në mëngjes rreth orës 8:15, ku sipas djaloshit 14-vjeç i identifikuar si Ivan që jeton në një rrokaqiell në rrugën Lohunova numër 17, që gjendet shumë afër vendit ku ndodhi më e keqja, kishte arritur që përmes dritares së kuzhinës të shoh helikopterin duke ju afruar një ndërtese tjetër të lartë, transmeton Telegrafi.

“Nuk e kanë parë rrokaqiellin me numër 18b për shkak të mjegullës”, shtoi Ivan duke theksuar se “helikopteri në një moment kishte tentuar të ngritet më lartë, por që një gjë e tillë ishte e pamundur dhe filloi të bie”.

Vova është një burrë i cili kishte shkuar për ta dërguar të birin e tij 8-vjeç në shkollën që gjendet në afërsi të kopshtit të fëmijëve, kur pa helikopterin duke u rrëzuar.

Thotë se edhe i biri i tij e kishte parë rrëzimin e helikopterit përmes dritares së klasës.

“Helikopteri po digjej derisa po rrëzohej, kështu të paktën më tha biri im dhe unë i besoj”, shtoi Vova.

E Yulia që gjithashtu i ka dy fëmijët në të njëjtën shkollë, por që atë sot qëndruan në shtëpi, thotë se dëgjoi helikopterin duke fluturuar dhe një shpërthim të befasishëm, që ajo beson se bëhej fjalë për tingullin që dilte nga fluturakja derisa po rrëzohej.

“Nuk e di nëse ka rënë në kopsht, por pjesët e helikopterit ranë në kopsht, e kam të vështirë të flasë tutje”, shtoi Yulia. /Telegrafi/