Thibaut Courtois beson se është ‘e pamundur’ që ai të fitojë Topin e Artë të këtij viti për shkak të pozicionit në të cilin luan, pavarësisht heroizmave të tij në finalen e Ligës së Kampionëve.
Gardiani i Real Madridit dha një paraqitje spektakolare në Paris për të mbajtur larg Liverpoolin, duke bërë pritje mbresëlënëse për të mohuar shanset e qind për qindta të Sadio Manes dhe Mohamed Salah teksa Los Blancos fituan Kupën e tyre të 14-të Evropiane.
Courtois nuk është optimist se shfaqja e tij në skenën më të madhe do të jetë e mjaftueshme për t’i fituar atij një trofe të rëndësishëm individual, megjithatë, veçanërisht pas sezonit që ka pasur bashkëlojtari i tij Karim Benzema.
“Është e pamundur që një portier ta fitojë atë, aq më tepër nëse ai luan në një ekip me Benzeman”, deklaroi Courtois për Tuttomercato.
Një portier nuk e ka fituar Topin e Artë që nga Lev Yashin në vitin 1963, dhe kjo ecuri duket se do të vazhdojë pasi Benzema shënoi 44 gola në 46 ndeshje në sezonin 2021-22 për t’u shfaqur si favorit i qartë për këtë çmim.
Në një ndryshim nga vitet e mëparshme, ceremonia e Topit të Artë do të zhvillohet në tetor dhe lojtarët do të gjykohen sipas performancës së tyre gjatë sezonit të rregullt evropian dhe jo gjatë një viti kalendarik. /Telegrafi/