Site icon Telegrafi

Derisa Lukaku pohon se largimi nga Interi ishte gabim, Tuchel thotë se gjasat janë të vogla që të luajë sërish për Chelsean

(Foto: Twitter/433)

Romelu Lukaku ka thënë se vendimi për t’u larguar nga Interi ishte një gabim, derisa Thomas Tuchel ka pranuar se gjasat janë të vogla që ai të luajë sërish për Chelsean.

Sulmuesi belg kërkoi rikthimin në Stamford Bridge në verën e kaluar, ku u transferua për 113 milionë euro, mirëpo menjëherë u pendua duke u kërkuar falje tifozëve në një intervistë për Sky Sport Italia në dhjetor të vitit të kaluar.

Ai ishte madje shumë i vendosur për t’u kthyer në Giuseppe Meazza dhe e arriti këtë qëllim duke u huazuar për një shumë prej afro 10 milionë euro.

Lexo po ashtu Mallkimi i transferimeve mbi 100 milionë eurosh

“Sfida më e madhe e karrierës sime do të jetë ky sezon këtu. U largova. Ishte një gabim, apo jo Nico?”, iu drejtua bashkëlojtarit Nicolo Barella gjatë një videointerviste të fundit.

“Tash jam i gëzuar që po e vesh këtë fanellë, skuadra e di se çfarë duhet të bëjmë, do të jetë një sfidë e madhe këtë sezon dhe ne duhet të vazhdojmë në këtë mënyrë”, ka shtuar ai.

Po ashtu, sot (e enjte) trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel, ka folur për Sky Sports se çfarë do të ndodhë kur të përfundojë huazimi i sulmuesit dhe se a do të kthehet te Blutë.

Lexo po ashtu Lukaku nuk i kursen thumbimet ndaj Chelseat dhe Tuchelit në intervistën e parë pas rikthimit te Interi

“Duke marrë parasysh faktin se është në huazim, padyshim se ekziston mundësia”.

“Nuk e di nëse ka shumë gjasa, por nuk më takon mua të jap një këndvështrim për këtë. Ka një mundësi që të ndodhë”, ka deklaruar Tuchel. /Telegrafi/

Exit mobile version