Të paktën 468 fëmijë janë vrarë që nga fillimi i luftës, kanë pohuar autoritetet ukrainase.
Gjithashtu është bërë e ditur se 947 fëmijë të tjerë janë plagosur, sipas vlerësimeve të fundit të Prokurorisë së Përgjithshme të vendit, raporton skynews.
Sipas Konventës së Gjenevës, vrasja dhe gjymtimi i fëmijëve si rezultat i veprimeve të drejtpërdrejta ose të tërthorta, konsiderohet një krim lufte.
Në javën e fundit, autoritetet kanë regjistruar 1,614 vepra të reja – 1,588 krime agresioni/krime lufte dhe 26 krime kundër sigurisë kombëtare.
Kujtojmë se për krime lufte është akuzuar presidenti rus, Vladimir Putin, për të cilin është lëshuar një urdhër-arrest nga Gjykata Penale Ndërkombëtare me seli në Hagë.
Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit të kaluar duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale. /Telegrafi/