Juventus – Inter njihet si Derby D’Italia, por që nuk zhvillohet vetëm në fushë.
Dy skuadrat e mëdha italiane shpesh herë kanë objektivat e njëjtë në afatet kalimtare dhe ajo që e fiton garën atëherë ka festë në taborin e saj.
Në verë Interi fitoi duke i rrëmbyer Romelu Lukakun, ndërsa fitore tjetër mund të quhet edhe në rastin e Mauro Icardit ku nuk ia shitën Juventusit dhe vendosën ta huazojnë te Paris Saint Germain.
Derbi mes dy klubeve pati edhe në janar për sulmuesin e talentuar Dejan Kulusevski ku kësaj radhe fituese doli Juventusi që e transferoi për 35 milionë euro, plus nëntë të tjera në formë bonusesh.
Garë e madhe mes dy skuadrave pritet edhe për super talentin italian Sandro Tonali që ka shkëlqyer me Brescian.
Calciomercato ka raportuar se Juventusi mbetet favorit për të nënshkruar me Tonalin, pasi vet lojtari preferon kampionët e Italisë para skuadrave të tjera.
Vlen të cekët se për reprezentuesin italian interesim kanë shfaqur edhe skuadrat e mëdha angleze, spanjolle dhe ato franceze si Real Madrid, PSG, Atletico Madrid, Chelsea, Manchester United, Manchester City e Arsenal.
Ndërkohë Brescia ditë më parë ka refuzuar ofertën prej 45 milionë eurove të Napolit për 19 vjeçarin.
Klubi italian synon që nga shitja e Tonalit të fitojë mbi 50 milionë euro. /Telegrafi/