Telegrafi

Derbi mes Prishtinës dhe Feronikelit përfundon baras

Pas katër fitoreve radhazi Feronikeli ndalet nga Prishtina me rezultat 1-1 në ndeshjen në kuadër të derbit nga xhiro e 21-të në IPKO Superligën e Kosovës.

Ishte një ndeshje e mirë me raste nga të dy skuadrat, por në fund pikët u ndanë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Ishte Feronikeli skuadra që u tregua e rrezikshme në fillim, së pari me Mendurim Hotin (7′) dhe pastaj me Kastriot Rexhan (14′).

Por, golin e parë në takim e shënoi Prishtina me anë të Leutrim Bekteshit (17′), i cili shënoi pas harkimit nga Armend Thaqi. Në vazhdim vendasit morën lojën në duar, por rezultati mbeti i pandryshuar.

Rexha tentoi edhe një herë golin për mysafirët, ndërsa ishte Hoti që shënoi në minutën e 65-të pas asistimit nga Arbër Prekzit.

Vlen të theksohet se nga minuta e 57-të Prishtina ishte me një lojtar më pak, pasi Lorik Boshnjaku u përjashtua pas dy kartonëve të verdhë.

Pas këtij barazimi Feronikeli vazhdon në pozitën e parë me 49 pikë, e ndjekur nga Prishtina me 44 pikë.

Në xhiron e ardhshme klubi nga kryeqyteti luan ndaj KEK-ut, ndërsa ai nga Drenasi kundër Gjilanit. /Telegrafi/