Site icon Telegrafi

Deputetja e LVV-së akuzon opozitën dhe mediat për “kauza të rreme politike” kundër institucioneve të sigurisë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti-Selimi ka akuzuar partitë opozitare dhe disa media për sulme ndaj Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe AKI-së.

Mehmeti-Selimi u shpreh se më këto sulme ndaj këtyre institucioneve “me dashje e pa dashje po u shërbejnë interesave kundër shtetit”.

“Sa herë që flas për Policinë e Kosovës, Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe AKI-në ndjehem krenare për punën e tyre në shërbim të shtetit.

Si qytetarë të këtij vendi besimin ndaj këtyre institucioneve e kemi të palëkundur ndër vite, këtë e kemi të bazuar në përkushtimin e tyre profesional e sakrificë në mbrojtje të rendit dhe zbatimit të ligjit dhe së fundi edhe luftimin e grupeve terroriste në veri të vendit.

Sulmet e fundit qofshin ato nga opozita, gazetarët e disa portaleve apo analistë në studio televizive ndaj policisë, FSK-së e AKI-së dëmtojnë rëndë reputacionin e këtyre institucioneve, dhe u shërbejnë interesave kundër shtetit tonë”, tha Mehmeti-Selimi.

Bashkëshortja e ish-deputetit të kësaj partie, Rexhep Selimi, shtoi se përpjekjet e tyre për të përdorur të dhëna të rreme qoftë mbi largimin e ushtarëve nga ushtria, apo imazhit për kequshqyerje apo mungesë të pajisjeve në ushtri e polici janë “kauza të rreme politike dhe të rrezikshme”.

“Është meritë e pamohueshme e Policisë dhe FSK që sot Kosova qëndron në krye të vendeve të Ballkanit perëndimor për përmirësimin e sundimit të ligjit në luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, tha ajo. /Telegrafi/

Exit mobile version