Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu ka reaguar sot pas largimit të fotografisë së presidentit Hashim Thaçi nga zyra e kryetare së Kuvendit, Vjosa Osmani dhe vendosjen e fotografisë së presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.
Deliu në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se fotografia zyrtare e presidentit, të cilën obligohen ta vendosin të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës në mjediset e tyre bazuar në Ligjin për Protokollin e Shtetit, sot u hoq nga kryeparlamentarja e re, Vjosa Osmani, e cila qysh në ditën e parë të punës bëri shkelje ligjore.
“Fotografia zyrtare e presidentit, të cilën obligohen ta vendosin të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës në mjediset e tyre bazuar në Ligjin për Protokollin e Shtetit, sot u hoq nga kryeparlamentarja e re, Vjosa Osmani, e cila qysh në ditën e parë të punës bëri shkelje ligjore. Mandati i saj është udhëheqja e organit që nxjerr dhe miraton të gjitha ligjet, por siç edhe dëshmoi, vetë ajo është selektive në zbatimin e legjislacionit të Kosovës. Ky është një standard i ri për institucionet e Kosovës dhe një lojë tërësisht fëmijërore që nxjerr në pah më së shumti papjekurinë politike dhe teket personale të Vjosa Osmanit”, shkruan Deliu. /Telegrafi/