Deputeti i Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Muhamet Hajrullahu ka folur për zhvillimet aktuale në vend, si dialogun me Serbinë, bojkotin në Kuvend, raportet me Partinë Social Demokrate në Prishtinë dhe Kamenicë.
Rexhaj duke analizuar zhvillimet e fundit dhe dialogun në Bruksel tha se një kryeministër që nuk ka njohuri se çka bisedon presidenti në Bruksel duhet të shkojë në shtëpi.
“Një kryeministër që thotë se nuk di për veprimet e presidentit ai menjëherë do të duhej të shkonte në shtëpi… Dhe një kryeministër sipas Kushtetutës së Kosovës e ka mandatin të negociojë me Serbinë, por për të qëndruar në karrigen e tij e lë këtë president që nuk e përçon unitetin popullor… atëherë tregon se qeverisja e Ramush Haradinaj varet kryekëput nga Hashim Thaçi dhe PDK-ja”, tha ai.
Deputeti Rexhaj tha se kryeministri Haradinaj është futur në zgafellen e tij dhe po bën gjumë ariu vetëm për të qëndruar në ulësen e kryeministrit.
Ai më tej ka folur edhe për udhëheqjen e dialogut nga presidenti Thaçi, duke theksuar se ai nuk ka legjitimitet për të dialoguar.
“Nëse në këtë vend do të kishte përnjëmend deputet, qoftë të pozitës ose të opozitës që njëmend e kanë interesin shtetëror në qendër do të vepronin.. ose ky Kuvend t’ia jep Thaçit mandatin, le të shkon dhe t’i udhëheq bisedimet drejt theqafjes dhe Kosovën ta shndërrojë në ‘Republika serbe’ dhe veriun e Mitrovicës t’ia jep Serbisë ose ta ndalojë Thaçin”, u shpreh Rexhaj.
Ai ka thënë se duhet një seancë që do të analizonte dialogun, strategjinë etj.
Deputeti i VV-së ka folur edhe rreth tërheqjes së njohjeve.
Ai tha se ka disa veprime që do ta qojnë në theqafje Republikën e Kosovës, duke përmendur këtu edhe tërheqjen e njohjeve. /Telegrafi/