Site icon Telegrafi

Deputeti ukrainas: Njohja e Kosovës nuk do të ndodhë derisa Ukraina është në luftë me Rusinë

Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur bindjen se njohja e Kosovës nga Ukraina do të vijë bashkë me fitoren e këtij shteti ndaj Rusisë. Se akti i njohjes mund të ndodh gjatë kohës sa Ukraina është në luftë me Rusinë nuk pret as deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko.

Pas shtrëngimit të duarve me Volodymyr Zelenskyyn pak para nisjes së samitit të organizuar në mbështetje të Ukrainës, më 28 shkurt në Tiranë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani foli me tone optimiste se shteti i cili tash e dy vjet po përballet ushtarakisht me Rusinë, do ta njohë një ditë pavarësinë e Kosovës. Nuk përmendi afate por tha se Ukraina herët a vonë do ta marrë një vendim të tillë. Dhe, ai moment sipas pritjeve të saj “do të vijë bashkë me fitoren e Ukrainës”.

Se akti i njohjes së Kosovës do të ndodh gjatë kohës sa Ukraina është në luftë me Rusinë nuk pret as deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, i cili ka ndërmarrë nisma për njohjen e Kosovës nga shteti i tij. Në fakt, prej se ka filluar agresioni i Rusisë në Ukrainë, janë ndërmarrë dy iniciativa për njohjen e Kosovës, por asnjëra nuk ka rezultuar e suksesshme.

Goncharenko i cili është edhe anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 05.08.2022 kishte dërguar në parlamentin ukrainas rezolutë për njohjen e Kosovës.

I njëjti kishte iniciuar edhe peticion për ta ngritur këtë çështje në nivelin vendimmarrës në Ukrainë. Por, çfarë ndodhi me këto dy iniciativa?

“Rezoluta në Parlamentin e Ukrainës nuk është votuar, ndërkaq peticioni nuk ka arritur të mbledh 25 mijë nënshkrime sa ka qenë e nevojshme. Pra kështu është situata…”, shpjegon Goncharenko në një bisedë për KALLXO.com.

Përmes peticionit që ky deputet e kishte nisur në dhjetor të vitit 2022, presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i kërkohej që ta shqyrtonte mundësinë e njohjes së Kosovës. Në peticion përmendej fakti se Kosova njihet nga vende të fuqishme perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për sa kohë që edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur që shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare.

Gonacharenko është shprehur haptazi që qëllimet e Serbisë ngjasojnë me ato të Rusisë. Ndërsa, njohja e pavarësisë së Kosovës, siç thotë ai, do të demonstronte një lloj falënderimi për përkrahjen dhe solidaritetin që Kosova ka treguar ndaj Ukrainës.

Por, tani ai nuk pret njohje të shpejtë të Kosovës.

“Nuk besoj që do të ndodh njohja e Kosovës gjatë kësaj kohe sa Ukraina është në luftë”, thotë Goncharenko. 

“Ndjenjat miqësore të shumë ukrainasve ndaj Kosovës”

Edhe kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit ukrainas, Oleksandr Merezhko, kishte shprehur përkrahjen për Kosovën dhe njohjen nga Ukraina.

Kryesuesit e Komisioneve të Punëve të Jashtme të parlamenteve të 12 vendeve evropiane përmes një deklarate të përbashkët drejtuar Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, Josep Borrell dhe përfaqësuesit special të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, kanë kërkuar të hiqen të gjitha masat negative të vendosura ndaj Kosovës dhe të rinisë bashkëpunimi i plotë me Qeverinë e Kosovës.

Merezheko kishte nënshkruar letrën pro Kosovës së bashku me deputeten e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns.

“Po, jam i sigurt se ju duhet të keni vënë re se kur jeni duke folur me njerëzit e thjeshtë në Ukrainë, patjetër do të vini re se shumica e ukrainasve kanë ndjenja shumë të ngrohta dhe miqësore ndaj Kosovës dhe ata e mbështesin Kosovën pikërisht për këto arsye, sepse ata shohin disa paralele dhe e kuptojnë se si është të jetosh kur fqinji të ngacmon vazhdimisht, kur kërcënon që do të të pushtojë, kur fqinji përdor lloje të ndryshme të provokimeve ndaj teje, pra ka shumë ngjashmëri”, kishte thënë Merezhko.

Por, ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj kishte thënë se njohja e mundshme e Kosovës nga Ukraina ishte shpikje politike e brendshme dhe nuk kishte të bënte me realitetin e jashtëm. E realiteti, sipas tij, ishte se Ukraina synon afrim me Serbinë dhe rregullim raportesh me të në kontekst të agresionit rus, duke keqpërdorur Kosovën.

“Kjo, u dëshmua më së miri nga vizita e kryeministrit Kurti në Greqi, i cili ishte i vetmi nga rajoni që nuk pati takim bilateral me Zelenskyyn! E këtu, tregohet politika e vërtetë e Ukrainës ndaj Kosovës dhe tregon fundin e histerisë mashtruese të Qeverisë Kurti rreth njohjes nga Ukraina”, kishte thënë Hoxhaj më 23.08.2023.

Zelenskyy nuk ka ndarë në rrjetin social “X”, ndonjë fotografi të veçantë as me presidenten Osmani në samitin që u mbajt në Tiranë, siç nuk ka ndarë fotografi as me krerët e shtetit rumun dhe bullgar, megjithëse me të tjerët pjesëmarrës ka vepruar ndryshe.

Në secilin prej postimeve, ai ka falënderuar krerët e shteteve për përkrahjen e dhënë ndaj Ukrainës që nga agresioni rus më 20.02.2022.

“Mirëkuptimi” ndaj Ukrainës

Presidentja Osmani ishte pjesë e samitit së bashku me liderët e Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Malit të Zi, Kroacisë, Moldavisë, Rumanisë dhe Bullgarisë dhe ishte e pranishme në foton e përbashkët që kanë bërë me Zelenskyyn.

Para nisjes së samitit, ajo u pyet nëse do t’i kërkonte Zelenskyyt njohjen e Kosovës.

“Këto janë çështje bilaterale. Ne gjithnjë e kemi bërë një kërkesë të tillë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, me mirëkuptimin e plotë që Ukraina është në një gjendje të jashtëzakonshme, në gjendje lufte, duke luftuar për lirinë e saj dhe pavarësinë e saj”, qe përgjigjur Osmani.

Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, Kosova ka ofruar përkrahjen e saj ndaj Ukrainës. Bile i ka vënë sanksione Rusisë, gjë të cilën nuk e ka bërë Serbia.

Me 94 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Rezolutën për mbështetjen e Ukrainës dhe popullit të saj në rezistencë ndaj agresionit rus më 03.03. 2022.

Ndër të tjerash, Kuvendi me këtë rezolutë e dënoi në mënyrë të ashpër agresionin dhe invazionin e paligjshëm, të pa provokuar dhe të pa justifikuar ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës si dhe përfshirjen e Bjellorusisë.

Në kuadër të programit të iniciuar nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, në Kosovë aktualisht janë të sistemuar 13 gazetarë ukrainas, ndërsa 5 të tjerë veç e kanë përfunduar këtë program. /Kallxo.com/

Exit mobile version