Beteja për kryeqytetin ukrainas Kievin, mund të jetë “Stalingradi i ri i Rusisë”, ka thënë deputeti ukrainas për BBC.
Sviatoslav Yurah, deputeti më i ri në Parlamentin e Ukrainës dhe njëherit ish-këshilltar i presidentit Volodymyr Zelensky, i ka dalë në ndihmë popullit duke u lajmëruar si vullnetar për ta mbrojtur Kievin, transmeton Telegrafi.
Ai tha për radion 4 të BBC-s-ë, se kryeqyteti ukrainas po ballafaqohet me një breshëri raketash ruse që kanë goditur çdo lagje gjatë natës.
Por, ka paralajmëruar Rusinë se duhet të përgatitet për humbje të mëdha nëse ia mësyn ta pushtojë Kievin.
“Është një qytet i madh ku ka miliona banorë, e nëse rusët tentojnë të vijnë do të ketë luftime të ashpra – do të jetë Stalingradi i tyre i ri”, duke iu referuar betejës më të përgjakshme në Luftën e Dytë Botërore, ku 1.1 milion trupa sovjetike dhe 800 mijë nazistë gjermanë humbën jetën. /Telegrafi/