Mehmet Zenka, deputet i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, tha në një intervistë për Euronews Albania se kryeministri në largim, Dritan Abazoviq gënjen kur shprehet se shqiptarët janë më të përfaqësuar se kurrë në Malin e Zi.
Sipas tij, situata është e kundërta dhe jo vetëm shqiptarët, por të gjitha pakicat janë shumë pak të përfaqësuara dhe tepër të diskriminuara.
“Kurrë nuk ka qenë situata më keq, veç viteve 92’ kur ishte lufta në Mal të Zi, në atë gjendje janë shqiptarët. Nuk ka luftë, por retorikë është e njëjta. Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më pak të përfaqësuar se kaq”, kështu tha Mehmet Zenka.
Ai me ironi shton se Abazoviq pretendon se vetëm duke qenë shqipfolës ai i përfaqësojnë të gjithë shqiptarët, por në të vërtetë vetëm e kanë ulur nivelin e subjektivizmit të shqiptarëve në Malin e Zi.
Ai tha gjithashtu se retorika serbe është ashpërsuar edhe më shumë ndaj shqiptarëve.
“Ushtria të kthehet në Kosovë, ushtria të kthehet në Prizren, Kosova është një shtet artificial, Kosova një shtet terrorist, kështu ishte retorika e serbëve dhe kryeministri në detyrë thotë se ne shqiptarët jemi më të përfaqësuar se kurrë. Në të vërtetë ne shqiptarët dhe të gjitha pakicat jemi në një situatë shumë të vështirë në Malin e Zi”, pohoi ai.
Këto janë zgjedhjet e treta brenda nëntë muajve dhe të parat pa Milo Gjukanoviqin si lider të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), i cili pas tri dekadash është tërhequr pasi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ka pësuar humbje nga kandidati i lëvizjes, “Evropa Tani”, Jakov Millatoviq. /Telegrafi/