Telegrafi

Deputeti i pozitës e voton mocionin e PDK-së për shtyrje të pikës për pagën minimale

Foto: Arkiv

Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar mocion procedural për largimin nga rendi i ditës të Projektligjit për pagën minimale. Pro këtij mocioni votoi edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ableard Tahiri u shpreh se do të largojnë nga shqyrtimi dy pika deri të arrihet konsensus.

“Duke marr parasysh se nuk patëm asnjë deklarim të ministrit të Financave që të ketë një vullnet dhe ta tërheqë pa pas nevojë që të propozohet një mocion procedural që kjo pikë dhe Agjencia Kosovare e Verifikimit të Pronës të largohen nga shqyrtimi në këtë seancë dhe pastaj t’i vendosim në një seancë të radhës”, tha ai.

Më pas kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se ky mocion nuk kaloi në herën e parë të votimit pasi siguroi vetëm 32 vota.

“Ky mocion nuk i kishte numrat e vet, i kishte vetëm 32 vota për, kështu që rregullorja e Kuvendit më detyron të vazhdoj me këtë pikë“, u shpreh ai.

Pas kësaj reagoi shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi duke thënë se nuk mund t’i vazhdojë punimet kjo seancë pa u marr një vendim për këtë mocion.

“Kuvendi i Kosovës e ka një mocion procedural, i cili është delikat dhe i ndjeshëm. Kuvendi nuk mund t’i vazhdojë punimet më tutje për pa u marrë një vendim për këtë çështje, qoftë ai vendim që kalon apo që e rrëzon mocionin. Pra Kuvendi është i paaftë me marr vendim. Si rezultat i paaftësisë me marr vendim nuk mundet me i vazhdu punimet prandaj grupit parlamentar i LVV duhet me e nda mendjen se çka po don”, theksoi ai.

E më pas deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi u shpreh se pasi mocioni nuk kaloi mund të vazhdohet me rendin e ditës të propozuar nga Kryesia e Kuvendit.

“Ne e kemi një rend të ditës të propozuar nga Kryesia e Kuvendit. Për këtë seancë ka rend dite për pikat e renditura nga seancat e mëparshme, pika të papërfunduara, sot kishim një mocion për të ndryshuar këtë rend dite të përcaktuara nga Kryesia e Kuvendit meqenëse mocioni nuk kaloi ne kthehemi tek rendi i ditës i propozuar nga Kryesia”, u shpreh ai.

E më pas shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, iu kthye deputetit të LVV-së duke i thënë se ai nuk e njeh rregulloren e Kuvendit të Kosovës.

“Zotëria këtu se njeh hiq rregulloren, çka foli kjo nuk ka mundur të ndodh hiq. Këto 7 seanca të pambyllura nuk është dashur me ndodh hiq, por ka ndodhur sepse ka pasur mirëkuptim se në momentin që nuk kalon në rendin e ditës ndalesh aty. Jemi munduar me pas mirëkuptim me shumicën parlamentare që mos me blloku Kuvendin, tash ky mirëkuptim i parlamentit mundohet me bërë normë e nuk është normë, mirëkuptimi nuk është normë”, tha Gashi.

E pas këtij diskutimi mocioni procedural që të hiqet nga rendi i ditës shqyrtimi i Projektligjit për pagën minimale u hodh për herë të dytë në votim por nuk kaloi përsëri. Pro këtij mocioni procedural ishin 32 deputetët, prej tyre për këtë mocion votoi edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli./KP