Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Sejdi Hoxha ka thënë se shkarkimi i drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj mund të jetë i lidhur me arrestimin ë nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova.
Përmes një postimi në Facebook, Hoxha u shpreh se “nuk e dijë nëse shkarkimi i tij mund te jetë mesazh edhe për prokuroret dhe gjyqtarët që do të merren me këtë çështje.
“Shkarkimi i drejtorit të doganave dhe të ATK-së është veprim politik i këtij Kryeministri të dështuar i cili po tenton që ta politizoj çdo institucion publik në Kosovë”, shkruan Hoxha.
Ai u shpreh se “kjo Qeveri e dështuar e cila me veprime të tilla dëshiron t’i mbuloj skandalet e veta nuk meriton ta udhëheq vendin, si e tillë duhet sa më shpejt të shkarkohet”.
Ndryshe, Zyra e kryeministrit të Kosovës, bën të ditur se kryeministri Avdullah Hoti shkarkoi të premten nga detyra, drejtorin e Policisë së Kosovës, Rashit Qalajn.
“Në përputhje me kompetencat ligjore dhe bazuar në raportin e performancës për drejtorin e Policisë së Kosovës, sot Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka liruar nga detyra Rashit Qalaj, nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës”, njofton kryeministria.
Pas shkarkimit të drejtorit të Policisë, Hoti ka shkarkuar edhe ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të Doganës së Kosovës Ibrahim Xhaka dhe drejtori i përgjithshëm i ATK-së Ilir Murtezaj.
Hoti ka emëruar Bajram Rexhën, ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës të Kosovës, dhe Ekrem Hysenaj ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës së Kosovës. /Telegrafi/