Telegrafi

Deputeti Muja i reagon BE-së për çështjen e dinarit: Askush nuk po i hedh benzinë zjarrit

Armend Muja, deputet i LVV-së

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja ka reaguar pas deklaratave të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, se Kosova po ndërmerr masa të njëanshme, sa i përket çështjes së dinarit dhe mbylljes së strukturave paralele.

Muja thotë se BE bën këto cilësime për Kosovën, kurse për Serbinë nuk ndërmarrin asnjë masë, transmeton Telegrafi.

“Si mundet që mbyllja e komunave/strukturave paralele të Serbisë në Kosovë dhe zbatimi i kushtetushtmërisë të Kosovës të konsiderohet masë e njëanshme e Kosovës nga Bashkimi Evropian dhe aleatë tjerë? Janë cilësime të tilla si kjo, ndërkohë që nuk ka asnjë masë ndaj Serbisë për sulmin paramilitar në Banjskë, që në fakt shkaktojnë çekuilibrim të procesit të dialogut dhe nxisin grupe të dhunshme të veprojnë dhunshëm”, deklaroi ai.

Lexo po ashtu Pas ShBA-së, vjen reagimi edhe nga BE-ja: Të shmangen veprimet që mund të rrisin tensionet

Tutje, Muja thotë se “Askush nuk po i hedh benzinë zjarrit. Por disa deklarata të partnerëve tanë mund të përdoren për fertilizim të tokës për tensione nga Serbia përmes grupeve kriminale. Dhe në të njejtën kohë dekurajojnë integrimin e mëtejmë të qytetarëve serb në Kosovë”./Telegrafi/