Deputeti i Lëvizja Vetëvendosje, Valon Ramadani ka reaguar pasi Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën ndaj tij, ku ai akuzohet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe pengimin e personave zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.
Ramadani ka thënë se akuza e tij është e pa bazë, ndërkaq theksoi se sa herë të jetë nevoja, secili duhet të protestojë kundër copëtimit të atdheut.
“Akuza kundër meje është e pa bazë. Unë, si deputet, kam protestuar kundër humbjes së 8200 hektarëve të Kosovës. Sa herë që të jetë nevoja, çdo shqiptar duhet të protestojë kundër copëtimit të atdheut tonë”, thuhet në reagimin e Ramadanit.
Deputeti i LVV-së tha se “Dëshira e dikujt që të ndalet kandidimi im, nuk do të realizohet”.
“Ka ikur koha kur institucionet vepronin kundërligjshëm, dhe sepse komuna e Ferizajit ka nevojë për energji të reja për zhvillim”, shkruan Ramadani. /Telegrafi/